Qytetarët durrsakë kanë shprehur interes për të bërë dozën e tretë të vaksinës antiCovid. Sipas drejtoreshës së Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Aurora Hyka, 3200 qytetarë kanë marrë dozën e tretë, ndërsa në total deri më tani janë aplikuar 152.025 vaksina. Meqë jemi në prag të sezonit të dimrit, krahas vaksinës anti Covid, po merret dhe ajo e gripit, ku janë marrë deri tani rreth 12 mijë doza.

“Vaksina e gripit është aplikuar tek stafet shëndetësore, të sëmurët kronikë dhe personat sipas fashave moshore”,- tha Hyka gjatë një interviste për “DurrësLajm”.

Sipas drejtoreshës Hyka, problem për strukturat shëndetësore në Durrës mbeten fëmijët, pasi për shkak të afrimitetit që ata tregojnë me bashkëmoshatarët, numri i atyre që janë prekur nga Covid është i konsiderueshëm.

“i shohim me mjaft prioritet rastet tek fëmijët, pasi kemi raste pozitive mes tyre, të referuara nga Pediatria e spitalit të Durrësit. Kjo vjen si shkak e mosrespektimit të masave dhe afrimitetit që tregojnë me njëri-tjetrin”,- tha ajo ndërsa shtoi se fakt pozitiv është që megjithëse ka raste infektimesh mes nxënësve apo mësuesve nuk ka mbyllje të klasave apo shkollave.

Fakt tjetër pozitiv është që në universitetin “Aleksandër Moisiu” nuk ka aktualisht asnjë rast pozitiv me Covid-19, mes studentëve dhe stafit akademik.

Një ditë më parë, prefekti Roland Nasto mblodhi drejtuesit e strukturave shëndetësore në Durrës, ku kërkoi shtimin e kontrolleve dhe marrjen e masave për respektimin e protokolleve të sigurisë ndaj Covid 19.

Drejtoresha Hyka thekson se fokusi i institucionit të drejtuar prej saj do të jenë shkollat e sistemit parauniversitar.

Festat e fundvitit dhe sezoni i dimrit pritet të rrisin numrin e të infektuarve me Covid. Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë raportoi për 516 qytetarë të infektuar, 5 humbje jete dhe 597 të shëruar. Ndërkohë Durrësi regjistroi 25 infektime dhe 1 viktimë në 24 orët e fundit.

M.B.