Për të disatën ditë me radhë bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë autostradës Tiranë-Durrës kanë protestuar kundër aksionit të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ata kundërshtojnë aksionin e ARRSH-së për bllokimin e hyrje-daljeve të rrezikshme në këtë segment rrugor, pasi po izolohen dhe rrezikojnë falimentimin.
Protestës së bizneseve dhe qytetarëve iu bashkua edhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës Alban Isteri, i cili e konsideroi të paligjshëm këtë aksion.
“Ne kërkojmë të ndërpritet ky aksion i paligjshëm, sepse bëhet fjalë për biznese që ushtrojnë aktivitetin e tyre prej rreth 20 vitesh përgjatë këtij segmenti dhe janë taksapagues të rregullt, me leje ndërtimi. Ne e mirëkuptojmë pjesë e rrezikut për hyrje-daljet në autostradë, por nuk është kjo mënyra e zgjidhjes”,- tha Isteri.
Sipas Isterit, nëse aksioni i ARRSH-së nuk ndalon dhe palët të ulen në bisedime për të gjetur një rrugëzgjidhje, protesta do të përshkallëzohet.
Rreth 1000 biznese që operojnë prej shumë vitesh në këtë zonë u kanë parashtruar autoriteteve dy kërkesa:
1. Të bëhet rrugë dytësore nga Vora deri tek Ura e Dajlanit
2. Të përcaktohen parametrat e hyrje-daljeve sipas standarteve rrugore dhe t’i lihet kohë për t’i rregulluar ato.





