Bashkia Durrës, ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) zhvilluan paraditen e sotme një dëgjesë publike me qytetarë dhe biznese të Durrësit, të cilët preken direkt apo indirekt nga projekti i amfiteatrit dhe ndërhyrjet restauruese përgjatë “Rrugës Tregtare”, në kuadër të projektit “TID”.
Bizneset dhe qytetarët u njohën nga afër me draft-projektin e hartuar nga AADF dhe detaje të tjera, që kanë të bëjnë me shpronësimin e qytetarëve dhe bizneseve, që preken nga shembjet që do të realizohen në këtë zonë për të zbuluar Amfiteatrin e Durrësit.
“DurrësLajm” mëson se gjatë dëgjesës publike u prezantuan disa detaje të projektit, që konsistojnë në:
1. Ndërhyrjen në “Rrugën Tregtare”, e njohur ndryshe si bulevardi “Epidamn”, për ta kthyer atë në pedonale
2. Restaurimin dhe rijetësimin e rreth 80 godinave dhe monumenteve të kulturës, që ndodhen në zonën arkeologjike A
3. Zbulimin e plotë të amfiteatrit, që daton në shekullin e II-të të erës sonë etj.
Po ashtu, gjatë dëgjesës një pjesë e qytetarëve dhe bizneseve kanë qenë të interesuar të njihen me mënyrën e shpronësimit, që do të përdorë bashkia Durrës për kompensimin e të prekurve nga shembjet e planifikuara.
Ndihma e AADF-së për Durrësin nisi pas tërmetit të 2 viteve më parë si një ndërhyrje strategjike dhe afatgjatë për të rimëkëmbur qytetin bregdetar nëpërmjet turizmit kulturor dhe zhvillimit të biznesit.
Hartimi i projektit “TID Durrës” synon zbatimin e një modeli për zhvillimin e zonave të turizmit në zonën historike të qytetit bredetar.
Projekti synon gjithashtu ta rivitalizojë dhe ta kthejë këtë zonë në një atraksion turistik për vendasit dhe të huajt, në një destinacion mundësish për biznes dhe turizëm.







