Pas disa shtyrjeve të datave të koncertit të shumëpërfolur të Maluma-s në Tiranë, tani ka një datë zyrtare. Koncerti i planifikuar fillimisht për t’u mbajtur më 14 mars të vitit 2020, por i shtyrë disa herë për shkak të situatës së pandemisë, do të mbahet përfundimisht më 12 mars të vitit 2022.

Lajmin e ka publikuar vetë Maluma përmes një postimi në Instagram, ku ka ndarë datat e koncerteve të tij nga shkurti në prill dhe mes tyre edhe data e koncertit që do të mbahet në Tiranë për Ditën e Verës, ashtu siç ishte menduar fillimisht, por dy vite më vonë.

Muaj më parë, organizatorët e eventit, Bashkia Tiranë dhe kompania RedCloud njoftuan se nuk do të ketë rimbursim të biletave të blera, por ato do të jenë të vlefshme për datën e re të koncertit. Ata bënë me dije se biletat e reja që do të dalin në shitje do të kushtojnë më shumë.

Kujtojmë që çmimi i biletave varionte nga 3000-4500 lekë të reja (25-38 euro), në varësi të zonave. Ndërsa bileta “Meet & Greet”, që u jep mundësinë fansave të takojnë nga afër Maluma-n, të bëjnë një foto dhe të kenë një souvenir zyrtar tijin, kushton 370 dollarë (335 euro).