Porti i Durrësit përgatitet për festat e fundvitit. Porti më i madh në vend pritet të përballet me një numër të shtuar pasagjerësh në ditët e fundit të vitit 2021, kjo për shkak të kthimit në atdhe të mijëra emigrantëve, që vijnë të kalojnë Krishtlindjen dhe natën e ndërrimit të viteve pranë familjarëve të tyre.
Me këtë rast, për të sjellë sadopak nga dekori festiv, Autoriteti Portual Durrës ka zbukuruar disa nga ambientet e tij, me pemën e Krishtlindjes.
Siç duket edhe në fotot e publikuara në rrjete sociale nga APD, dekori festiv është vendosur në ambientet e Terminalit të Pasagjerëve, por edhe në ambientet e brendshme të institucionit.
Dy javët e ardhshme pritet të regjistrojnë fluks pasagjerësh në port dhe duket se autoritetet kanë marrë masat për të krijuar atmosferën festive që shoqëron gjithnjë fundin e vitit.





