Tirana ka likuiduar për të dytën herë këtë sezon Teutën, duke fituar 2-1 në “Air Albania” dhe mbajtur kështu kreun e renditjes. Një sukses mjaft i rëndësishëm për bardheblutë, që po shkojnë drejt shpalljes kampion të dimrit, teksa mbetet edhe një ndeshje në mesjavë.
Tirana e mbylli 1-0 pjesën e parë. Totre tregon gjithë talentin e tij me një gjuajtje të shkëlqyer nga jashtë zonës që kalon Qirkon. Vërtet një gol shumë i bukur. Në 45’ akordohet penallti për Tiranën pas një ndërhyrje të Ivanoviç ndaj Seferit, por çuditërisht gjyqtari Laver Alla e anulon pas rishikimit të pamjeve në VAR.
Në 68’ vjen goli i dytë i vendasve. Kundërsulmi i Xhixhës në krahun e djathtë, topi i tij për Seferin në shtyllën e dytë është perfekt dhe sulmuesi thjesht shtyn sferën në rrjetë. Teuta ngushton me Grudan në 84’, i cili nuk gabon para portës pas një pasimi nga e djathta. Por vetëm kaq, mbyllet 2-1.