Reperi Stresi ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën që ka thirrur ditën e sotme Sali Berisha, kundër ardhjes së presidentit Aleksandër Vuçiç në Tiranë.

Me anë të një postimi në Instagram, Stresi thotë se është në protestë kundër zotit të shtëpisë jo kundër mysafirëve. Sipas tij, pozicioni politik i qeverisë është i papranueshëm dhe thotë se kush nuk njeh Kosovën, nuk e respekton Shqipërinë.

“Do jem në protestë jo për të protestuar kundër mysafirëve, por kundër të zotit të shtëpisë. Kundër të zotit të shtëpisë që nuk përfaqëson dot shumicën e shqiptarëve, ndonëse në zgjedhjet e fundit ishte më i votuar se pengu i tij. Ai nuk u votua nga shumica absolute e shqiptarëve.

I zoti i shtëpisë nuk mund të shpallë mikun e tij personal si mik të Shqipërisë. As të Shqiptarëve. Aq më keq kur ulet në krah të tij dhe përballë Kosovës, shqiptarëve! Ky pozicion politik i qeverisë sonë është i papranueshëm! Kush nuk njeh Kosovën nuk respekton as Shqipërinë!

Mysafirin ta rehatojnë si mysafir, por jo si mik të Shqipërisë e shqiptarëve, të cilët ende nuk i njeh si shtet e as i respekton si komb. Protesta është jeta e një kombi dhe zemra e demokracisë. Do jem aty si qytetar, patjetër!”, shkruan Stresi.