Tashmë maskat janë bërë pjesë e pandashme e jetës tonë të përditshme si masë mbrojtëse e shëndetit ndaj Covid-19 por nga ana tjetër ato na shkaktojnë disa probleme në fytyrë.

Dermatologia Esmeralda Babamusta tregon se gjatë vitit të fundit, aknet e krijuara nga maska, të njohura me termin “maskne” kanë qenë shqetësimet kryesore të pacientëve.

Krahas akneve, maskat gjithashtu shkaktojnë irritime apo skuqje në lëkurë.

“Aknet gjatë këtij viti kanë qenë një nga shqetësimet kryesore të pacientëve që kanë ardhur këtu në klinikë. Maskne nënkupton aknet që krijohen nga maska për shkak të lagështirës, yndyrës dhe papastërtive që mbeten në lëkurë, por mund të jenë edhe rozace, pacientët që kanë rozace në momentin që vendosin maskën mund t’i shfaqen irritime, skuqje por edhe puçrra të vogla si akne. Maskne mund të shkaktojë edhe folikuli, që është irritim i folikulit të qimes për shkak të yndyrës, papastërtive. Dermatiti i kontaktit është një nga shqetësimet kryesore që maskat kanë shkaktuar, mund të shoqërohet me kruarje, me irritime, me skuqje dhe gjithashtu me pucrra. Këto janë kategoria e problemeve që maska shkakton në fytyrë.”, thotë ajo.

Për të parandaluar problemet e sipërpërmendura, dermatologia Babamusta këshillon që t’i kushtojmë rëndësi higjienës së fytyrës.

Sipas saj, personat që kanë probleme me aknet, para se të vendosin maskën duhet të përdorin krem me benzoyl peroxide, retinoid ose dhe antibakterial.

Ndërsa personat me lëkurë të ndjeshme apo alergjike këshillohen të përdorin maskë të pambuktë para se të vendosin atë kirurgjikale.

“Duhet të kemi parasysh që, maska shkakton probleme të tilla për shkak të lagështisë, yndyrës, baktereve e papastërtive të tjera në lëkurë, na kërkohet një higjienë më rigoroze sesa më përpara kur nuk vendosnim maskë. Që do të thotë; duhet larë fytyra në mëngjes dhe në darkë gjithmonë.

Pacientët që kanë probleme me aknet, mund të përdorin një krem me benzoyl peroxide para se të vendosin maskën, ose ta marrin në formën e larësit dhe ta mbajnë me shkumë për disa minuta, ose mund të vendosin një krem retinoid, krem hidratues të fortë, ose dhe një krem antibakterial.

Pacientët që kanë lëkurë të ndjeshme ose kanë alergjia ndaj maskës, këshillohet që të përdorin maskë të pambuktë në fillim dhe më pas të vendosin maskën kirurgjikale. Materiali i pambuktë e ndihmon lëkurën edhe të marrë frymë më kollaj por nuk lejon as grumbillimin e papastërtive dhe mbylljen e poreve. Maska e pambuktë mund të lahet shpesh e shpesh me detergjentë të butë.”, përfundon mjekja dermatologe.

Gertjana Daçi