Është finalizuar mbrëmjen e djeshme me ndarjen e çmimeve në një ceremoni virtuale Festivali amerikan i filmit “Sundance Film Festival”

Pjesë e këtij festivali u bë edhe filmi “Hive” me regji të Blerta Bashollit, i cili ka fituar 3 çmimet më të rëndësishme në festival (Filmi më i mirë, Regjisorja më e mirë, dhe çmimin e publikut) duke bërë kështu historinë në kinematografinë shqiptare.

Basholli pasi mori çmimin “Regjisorja më e mirë”  u shpreh përmes një video mesazh:

Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipin, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithë ne.”

“Kemi punuar shumë dhe gjatë që ta sjellim këtë film para jush, publikut, dhe jemi shumë të nderuar që na shpërblyet. Duam t’ia dedikojmë këtë çmim vendit tonë të dashur dhe të bukur, Kosovës”– shpreh Yll Uka, producenti i filmit.

Filmi “Hive” është bazuar në një ngjarje të vërtetë, në historinë e Fahrije Hotit, që e ka frymëzuar regjisoren për punën e saj. Në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, Fahrija (që luhet nga Yllka Gashi në film) fillon një biznes bujqësor për t’i siguruar mbijetesën familjes së saj, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.