Jeff  Bezo, themeluesi i Amazon do të largohet nga roli i shefit ekzekutiv të gjigantit të tregtisë elektronike. Bezo ka lajmëruar se do të bëhet kryetari ekzekutiv, pasi në këtë rol ka mundësi që të angazhohet dhe me sipërmarrjet e tij të tjera.

Ai do të zëvendësohet nga Andy Jassy, i cili aktualisht është drejtor informatik në Amazon. Kompania ka njoftuar se ky ndryshim do të ndodhë në gjysmën e dytë të vitit 2021.

“Si kryetari i ekzekutivit unë do të qëndroj i angazhuar në iniciativa të rëndësishme të Amazon, por gjithashtu do të kem kohën dhe energjitë e nevojshme për t’u përqendruar në Fondin Dita 1, Fondin e Tokës Bezos, Blue Origin, Washington Post dhe pasionet e mia të tjera”- ka shkruar ai.

57-vjeçari Jeff Bezos ka themeluar e udhëhequr Amazon që nga viti 1994. Fillimisht e gjitha nisi si një dyqan librash në internet. Por aktualisht kjo kompani punëson 1.3 milionë njerëz në të gjithë botën dhe është shtrirë në shumë sektorë.

Bezos ka grumbulluar një pasuri prej 196.2 miliardë dollarësh, sipas listës së miliarderëve të revistës Forbes. Të ardhurat e kësaj kompanie u rritën ndjeshëm nga pandemia e koronavirusit, pasi njerëzit u dyndën masivisht në blerjet online. Kompania raportoi 386 miliardë dollarë fitime në vitin 2020, një rritje me 38% krahasuar me 2019-ën.