Tristan Thompson i ka kërkuar falje publikisht Khloe Kardashian për “poshtërimin dhe dhimbjen” pasi një test atësie konfirmoi se ai ka një fëmijë me Maralee Nichols. Në një postim në rrjetet sociale drejtuar biznesmenes, ylli i basketbollit u shpreh se “i vinte tmerrësisht keq” për veprimet e tij.

“Sot, rezultatet e testit të atësisë zbuluan se kam një fëmijë me Maralee Nichols. Mbaj përgjegjësi të plotë për veprimet e mia. Tani që prindërimi është sistemuar, mezi pres të rris djalin tonë në mënyrë sa më miqësore. Iu kërkoj sinqerisht falje të gjithë atyre që kam lënduar apo zhgënjyer gjatë kësaj situate, si publikisht edhe privatisht”.

Në postimin tjetër, Thompson deklaroi faljen direkte ndaj Khloe Kardashian me të cilën ka edhe vajzën True, 3 vjeç.

“Khloe, ti nuk e meriton këtë. Nuk e meriton dhimbjen dhe poshtërimin që të kam shkaktuar. Nuk e meriton mënyrën si të kam trajtuar për vite me radhë. Veprimet e mia nuk përkojnë me mënyrën si të shoh ty. Kam respektin dhe dashurinë më absolute për ty. Pavarësisht çfarë mund të mendosh. Sërish, më vjen tmerrësisht keq”.

Vetë Khloe Kardashian nuk ka reaguar deri më tani për fjalët e babait të vajzës së saj.