Myslim Murrizi, ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe kryetari i Partisë Lëvizja Demokratike e Shqipërisë, është kallëzuar në prokurorinë e Tiranës.
Mësohet se ish-nënkryetari i Kuvendit akuzohet nga Policia e Shtetit se ka fshehur të ardhura financiare duke kryer pastrim të produkteve të veprës penale.
Myslim Murrizi, sipas policisë, ka fshehur të ardhurat duke mos i deklaruar pranë ILDKPI-së. Ish-deputeti i PD-së akuzohet nga policia për dhjetëra transaksione bankare të pajustifikuara që shkojnë në mijëra euro.
Ish-deputeti Murrizi, këto veprime i ka bërë me kompaninë “Murrizi 2009” dhe me individë të ndryshëm. Koha e transaksioneve që policia ka verifikuar si të pajustifikuara daton qysh prej vitit 2010 e në vijim.
Sipas policisë, Murrizi është dënuar më 14 shtator 2006 me 3 vite burgim për akuzën e mitmarrjes, dënim i cili është konvertuar në shërbim prove.