Aktori i njohur i humorit Elvis Pupa është infektuar me Covid-19. Festën e Krishtlindjeve dhe të ndërrimit të viteve i ka kaluar në karantinë se bashku me të shoqen. Me anë të një video në Instagram, ka treguar si i kaloi ditët e izolimit duke përdorur nota humori dhe duke dhënë një këshillë për të gjithë që të mos karantinohen me partnerët.
“Respekte miq. Ju uroj gëzuar vitin e ri. Qoftë një vit i mbarë dhe sa më pak halle. Krishtlindjen dhe vitin e ri i kam kaluar në karantinë. Më në fund më zuri dhe mua COVID. Fillova të bëhem xheloz, thashë çfarë kam unë që nuk po ma var ky.
Dy ditë para Krishtlindjeve shkuam me gruan dhe blemë një bredh natyral që të vinte aroma e bredhit nëpër shtëpi. Harxhuam një hale me pare dhe të nesërmen nga kapi COVID. Na iku nuhatja. Filluan teshtimat breshëri njëri pas tjetrit. Gjashtë ballë e sipër për teshtimë. Aq fort tështinim sa më dilnin pandoflat nga këmba. Pastaj filloi kolla. Në fillim ishte e lehtë si pjeshkë blloku, në darkë bëhej aq e rëndë sa sa herë kollitesha binte alarmi i shtëpisë.
Katër herë ka ardhur policia se kujtonte se po më vidhnin shtëpinë. Kurrë më parë nuk ja kam ditur vlerën mureve të shtëpisë. Nëse nuk do kisha muret, do kisha shkuar në banjë me zvarritje. Ju jap një këshillë. Kush po e kalon COVID, bëni kujdes ta kaloni vetëm tek pullë. Se në momentin kur e kaloni me gruan sëmundja bëhet e rrezikshme. Nuk ka vaksinë që ju bën derman. Sa hapte sytë Visi do ma sjellësh një gotë ujë. Visi do na qërosh një frut. Pastaj do na bësh një kafe turke. Gjithë ditën Visi, Visi, Visi.
Më çmendi fare. Nuk e mora vesh kur më iku e kur më ndejti e kur mu largua sëmundja se smë la njeri të bëj sëmundllik rehat. Flinim në dhoma vec vetëm se sa shtrihesha më rrinte tek dera e dhomës si shpirt i keq, a të të puth icik. Rashë në gjumë, me 31 në mëngjes, shoh gruan tek dera. Merrte frymë me zor e me sy të perënduar. I thashë a je mirë? Më tha, kam parë gjithë natën një ëndërr erotike me ty, si do ia bëjmë? Po ik mi i thash, unë nuk kam fuqi të mbaj furcën e dhëmbëve. Bëra darkën e vitit të ri, përshesh me kos dhe bëmë gëzuar duke kërcitur dy kokrra paracetamoli”, thotë ai ndër të tjera.