E shembur që më 16 tetor, shkolla 9-vjeçare “Eftali Koçi” ende nuk ka nisur të rindërtohet. Nga një vëzhgim që “DurrësLajm” bëri ditën e sotme në kantierin e ndërtimit, asnjë punim nuk po realizohej aty.

Sheshi ka mbetur njësoj, siç ishte pas largimit të inerteve të krijuara nga shembja. Në kantier nuk vihej re as prania e mjeteve të rënda dhe as punëtorë të firmës së ndërtimit që ka marrë përsipër rindërtimin e shkollës.

Ashtu si gjimnazi “Naim Frashëri”, edhe kjo shkollë 9-vjeçare pret nisjen e punimeve. Nxënësit e saj prej më shumë se 2 vitesh zhvillojnë mësimin në shkolla pritëse, në turnin e dytë.

Më 8 tetor, kur bashkia Durrës organizoi dëgjesën publike, para të pranishmëve u paraqit projekti i shkollës 9-vjeçare dhe u premtua se sapo të shembej do të niste rindërtimi. Fakt është që në muajin janar 2022, procesi është në vendnumëro.

Shkolla “Eftali Koçi” është mes objekteve arsimore, që do të rindërtohen nga programi EU4School i BE.

Përmes një komunikimi zyrtar që “DurrësLajm” pati me UNDP-në mësojmë se rindërtimi i shkollës 9-vjeçare pritet të nisë në mars të këtij viti dhe do të përfundojnë brenda një harku kohor prej 8 muajsh.

Përfaqësuesja e UNDP, Nora Kushti, sqaron dhe arsyet e vonesës disa mujore të nisjes së punimeve:

1. Institucioni arsimor bën pjesë në Kategorinë A të zonës arkeologjike të Durrësit. Si rrjedhojë, është nevojitur një kohë e konsiderueshme për të zhvilluar një studim arkeologjik. Ky studim është pjesë integrale e procedurës për lejen Arkeologjike që nevojitet për lëshimin e lejes së ndërtimit. Miratimi nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale për studimin është marrë me 28 Korrik 2021. Pas saj, leja e ndërtimit është lëshuar me 12 Tetor 2021;

2. Raporti arkeologjik i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale me 28 Korrik 2021, tregonte që objekti përfaqëson nevojën për raportimin, procesimin dhe ruajtjen e mbetjeve arkeologjike. Përgatitja e dokumentacionit dhe firmosja e marrëveshjes tripalëshe mes Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, Kontraktorit dhe arkeologut të licencuar, kërkonte një periudhë prej 30 ditësh, e cila ka përfunduar që më datë 12 Nëntor 2021;

3. Gërmimi arkeologjik (që përbën një ndryshim nga parashikimi aktual i gërmimit) kërkon 60 ditë dhe do të ndërmerret nga kontraktori, nëpërmjet një eksperti arkeologjik të licencuar”.

Në projektin e prezantuar në dëgjesën publike të muajit tetor, ishte parashikuar që në shkollën me 600 nxënës do të ndërtohet edhe ashensori, rampa dhe tualetet për personat me aftësi të kufizuara.  

Të gjitha godinat shkollore që do të rindërtohen nga e para do të ndërtohen sipas standarteve të Eurocode-8.

M.B.