Nga Oerd Bylykbashi
8 janari 2022 do të shënohet në historikun e politikës si dita kur Lulzim Basha blindoi selinë e Partisë Demokratike për të lënë jashtë demokratët.
I provokoi, u hodhi lëndë kimike dhe irrituese mbi fytyre e trup, granata trullosëse dhe përdori hunj dhe i rrahu e i gjakosi vetëm sepse deshën të hyjnë në selinë e tyre.
Në fund, në koordinim me qeverinë, thirri policinë duke përdorur ata pak deputetë rreth tij si justifikim e si mburojë njerëzore.
Hyrja dhe përdorimi i dhunës nga policia brenda godinës së një partie politike nuk ka as bazë ligjore, as precedentë praktikë që ta përligjin sadopak atë.
Dje u vendos një precedent i rrezikshëm për demokracinë: Qeveria bëhet palë në një konflikt të brendshëm të një partie, aq me shumë partie rivale opozitare dhe e zgjidh duke i vënë policinë në dispozicion palës që zgjedh Qeveria.
Më keq akoma, Qeveria zgjedh palën që i duhet asaj. Por e keqja është se në çdo rast përfshirja e policisë e ngatërron atë vetë në mes të një konflikti politik nga ku policia dhe drejtuesit e saj më të lartë do të dalin padiskutim të bërë pis politikisht.
Shpejtësia dhe saktësia e reagimit policor tregon me siguri koordinim paraprak të Lulzim Bashës me policinë e regjimit.
Dhuna e shproporcionuar e ushtruar nga policia mbi demokratët me ftesë të Lulzim Bashës nuk tregon vetëm cinizmin e Ramës, por ngricën e shkretëtirën emocionale të Bashës kur dhunonte me policët e Ramës anëtarët e PD që u bënë copë ta bënin kryeministër.
Kur dikush të mbyll derën e shtëpisë, legjitimitetin nuk e ka dera e blinduar por e drejta për të hyrë në shtëpinë tënde.
Ndaj mijëra demokratë shkuan të kërkonin lirimin dhe dorëzimin e shtëpisë së tyre nga ai që shkarkuan.
Më 11 dhjetor 2021 Lulzim Basha u shkarkua nga Kuvendi Kombëtar i demokratëve. Më 18 dhjetor 2021 shkarkimi i tij u ratifikua nga më shumë se 43.000 anëtarë të PD. Por Lulzim Basha vuan sindromën e mohimit të realitetit.
Është kjo gjendje që atë e shtyu të lëshojë çdo sharje e të mbyllë dyert e selisë për deputetët e antarët e partisë, të blidojë atë e ta mbushë me të fortë të armatosur me mjete gaz-hedhëse e granata trullosëse, hunj e me armë.
Lulzim Basha është nën psikozën e kështjellarit të rrethuar që është gati të bëjë çmenduri të përgjakshme për të mbajtur muret kundër të gjithëve edhe kur kjo është e pamundur.
8 janari 2022 kaloi, xhamat e selisë do të zëvendësohen po anëtarët kurrë nuk do të harrojnë atë që u bëri Lulzim Basha, sepse nuk ka protezë për një shpirt të thyer.
Nuk ka demokrat që nuk ka parë se çfarë është në gjendje të bëjë kundër tyre Lulzim Basha për vulën dhe muret e zyrës, ka parë festimet e tij dhe të atyre pak pasuesve te tij ndërkohë që shumë demokratë shtriheshin buzë Lanës në gulçe pa frymë nga gazi që u hodh nga selia.
Nuk ka demokrat që nuk dëgjon vrerin që po nxjerrin ndaj tyre. 8 janari kaloi dhe shqiptarët panë tek Lulzim Basha shembullin më të shëmtuar të kryetarokracisë së vulës që vret demokracinë e votës.
Të gjithë e panë Bashën t’i kërkojë ndihmë Ramës kundër anëtarëve të tij dhe që Rama i dhunoi me kënaqësi cinike demokratët në selinë e tyre me kërkesën, lejen dhe ngazëllimin festiv të Bashës.
8 janari 2022 do të kalojë në histori për turp të Lulzim Bashës. Vendimet e Kuvendit Kombëtar të PD të datës 11 dhjetor 2021 për rithemelimin dhe riorganizimin e PD janë imperative. Demokratët do të kthehen në selinë e tyre. Por është në nderin tonë që ky moment të jetë vetëm fillimi i një rruge të re të PD të bazuar në parime dhe demokraci e jo në pazare personale dhe autokraci.
PD do të jetë gjithmonë më e fortë duke qëndruar e bashkuar rreth njerëzve dhe vlerave që ajo përfaqëson!