Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes me drejtuesit politikë të PS në qarqe, ka folur mbi fushatën e vaksinimit në vend.

Sipas Ramës dozat e para mbërrijnë sonte ndërsa foli edhe për ata që do e marrin të parët vaksinën.

“Nuk jemi as në dorë të mekanizmit të Covax që dhe aty problemi është i jashtëzakonshëm. Kanë filluar kërcënimet për hedhjen në gjyq për kompanitë në vende të mëdha të BE, ne kemi një sportim në kohë pasi dozat e para të Pfizer duhej të vinin javën e tretë të janarit dhe sipas konfirmimit, dozat e para vijnë sot në darkë dhe do të vazhdojnë me faza ndërkohë që jemi shumë afër me një marrëveshje përfundimtare me Astrazenecën, ndërkohë që vazhdojmë kontaktet me tre shtete, jemi në rrugë të mbarë.Skenari i parë i vaksinimit brenda 14 muajsh nuk ka rënë akoma, pavarësisht vonesave. Do të vazhdojmë me mjekët dhe infermierët dhe paralelisht do të vazhdojmë dhe me të moshuarit. Nuk e kam në moment sa do të jenë dozat që do të vijnë sot, por e rëndësishme është që do të vijojmë të vaksinojmë të tjerë dhe besoj që muaji Shkurt do të jetë një muaj me qartësi për gjithë procesin. Sot do të vijnë doza më pak se ato që ishin angazhuar për partinë e parë, por sidoqoftë e rëndësishme është që fillon vaksinimi i dytë sepse këtë e kishim të garantuar dhe do të vazhdojmë me të tjerë.”