Në kuadër të bashkëpunimit të iniciuar mes Qeverisë shqiptare dhe « Jones Group International » për forcimin e sigurisë së sistemeve digjitale kritike në vendin tonë, Drejtori i APD-së, Pirro Vengu, priti në takim një delegacion të kryesuar nga Gjenerali James Logan Jones Jr.
Në fokus të bisedimeve ishte vlerësimi i parametrave të sigurisë në infrastrukturën dixhitale të Autoritetit Portual Durrës, si pjesë e infrastrukturës kombëtare të rëndësisë së veçantë. Personalitet i madh i ushtrisë dhe i politikës amerikane, James Logan Jones Jr, ka ushtruar detyrat e Këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Komandant i Korpusit të Marinsave, Komandant i Komandës Amerikane në Europë si dhe Komandant Suprem i NATO-s në Europë (SACEUR).
Falë bashkëpunimit me Jones Group, Autoriteti Portual Durrës do mund të përfitojë dhe nga shkëmbimi i eksperiencave me portet partnere në Shtetet e Bashkuara, lidhur me transformimin dixhital, përfshirjen e teknologjisë 5G në facilitetet e reja portuale dhe automatizimin e përpunimit të ngarkesave.