Bashkia Durrës ka hapur procedurën për aplikimin për “Bonusin e Strehimit”,për të gjitha familjet në nevojë që plotësojnë kushtet ligjore për përfitimin e saj.
“Bonusi i Strehimit” konsiston në subvencionin e qirasë së banesës në vlerën 50% për familjet në vështirësi ekonomike, të cilat duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme në bashki, në harkun kohor të një muaji.
Në njoftimin për shtyp, bashkia nënvizon se dokumentat duhet të jenë të lëshuar brenda 3 muajve të fundit nga momenti që qytetari bën aplikimin.
Aplikimi bëhet pranë zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në bashkinë Durrës, ndërsa afati i paraqitjes/rifreskimit të dokumentacionit është nga 17.01.2022 deri më 17.02.2022.
Njoftimi i plotë:
Mbështetur në Ligjin Nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” i ndryshuar, Ligjin Nr.22/2018 ‘Për Strehimin Social’, Bashkia Durrës vijon me ofrimin e përfitimit të ‘Bonusit të Strehimit’ ku sipas së cilit subvencionohet 50 % e vlerës së qerasë së banesës, për familjet në nevojë të cilët përmbushin kriteret ligjore ku me përparësi trajtohen kategoritë e përcaktuara në pikën 3, neni 34, Ligji Nr.22/2018 si më poshtë vijon:
a) individët me statusin e jetimit;
b) personat me aftësi të kufizuara;
c) të moshuarit;
ç) invalidët e punës;
d) familjet e policëve të rënë në detyrë;
dh) emigrantët e rikthyer;
e) punëtori emigrant;
ë) azilkërkuesit;
f) familjet e komunitetit rom;
g) familjet e komunitetit egjiptian;
gj) Viktimat e dhunës në familje;
h) viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;
i) prindërit e vetëm, që kanë në ngarkim fëmijë;
j) individët që i përkasin komunitetit LGBTI, të cilët janë viktima për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi që përcakton se si pasojë e diskriminimit individi nuk ka një strehim të përshtatshëm dhe që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose që nuk kanë fare të ardhura, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 3 të këtij ligji;
k) të miturit, 14-18 vjeç, dhe të rinjtë, 18-21 vjeç, në konflikt me ligjin, kur dalin në lirim pas kryerjes së dënimit, kur kanë nevojë për banesë, sepse duhet të jetojnë larg familjeve, për shkak të rehabilitimit të tyre më të mirë në shoqëri;
l) vajzat nëna, pas daljes nga programi i banesave sociale të specializuara;
ll) familjet me statusin e qiramarrësit në banesa ish-pronë private, sipas aktit normativ nr. 3, datë 1.3.2012.
Njoftohen të gjithë të interesuarit, të cilët plotësojnë kushtet për të trajtuar me ‘Bonus Strehimi’ në bazë të Ligjit Nr.22/2018 ‘Për Strehimin Social’, dhe mbështetur në kërkesat e VKM-së Nr.384 datë 12.06.2019 ‘Për përcaktimin e dokumentacionit për të përfituar strehim sipas cdo programi social të strehimit dhe të afateve e të procedurave të miratimit nga organet e vetëqeverisjes vendore’, të depozitojnë kërkesën e tyre dhe dokumentacionin ligjor si më poshtë vijon:
a) Për të dhëna personale të aplikantit:
i.certifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen civile;
ii. vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
b) Për vërtetimin e kushteve të strehimit, sipas shkronjës “a”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i. vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes
ii. vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi;
iii. vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi; Vërtetimi nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës qe aplikanti apo cdo pjesëtar tjetër i familjes në moshë madhore nuk ka aplikuar për legalizim banese.
iv. aktverifikim nga njësia vendore për: – banesat në rrezik shembjeje; – rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore; – banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
v. Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës;
vi. akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.
c) Për vërtetimin e kushteve familjare, sipas shkronjës “b”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i. certifikatë familjare;
ii. vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.
ç) Për vërtetimin e kushteve sociale, sipas shkronjës “c”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i. vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara;
ii. vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit;
iii. dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara;
iv. dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”;
v. dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve;
vi. urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje;
vii. vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane;
viii. dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin;
ix. vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI; x. vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë-nënë.
d) Për vërtetimin e kushteve ekonomike, sipas shkronjës “ç”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018, “Për strehimin social”:
i. vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t’i bashkëlidhen dokumenteve zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
ii. dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes;
iii. vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
iv. vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
v. vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension
e) Kontrata e qerasë me afat 1-vjeçar (duhet të jetë e noterizuar).
f) Numri i llogarisë bankare ( i aplikuesit ose njërit anëtar të familjes).





