Stacioni i radhës i fushatës së Ministrisë së Mbrojtjes për rekrutimin e ushtarëve të rinj ishte qyteti i Durrësit.
Janë 400 pozicione të lira pranë Forcave të Armatosura që do të plotësohen me ushtarë apo detarë aktiv, të moshave 18-27 vjeç.
Zv/ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici, u shpreh mjaft e kënaqur nga interesimi i të rinjve të Durrësit për t’u bërë pjesë e FA-së.
Sipas saj, deri në mesditë ishin rreth 150 aplikime, ndërkohë që numri i tyre pritet të rritet deri në orën 19.00, kur përmbyllet fushata në qytetin bregdetar.
Të rinjtë që plotësojnë formularin e aplikimit do t’i nënshtrohen më pas një procesi përzgjedhjeje.
Për një të ri që po bëhej pjesë e kësaj fushate, të qënit anëtar i Forcave të Armatosura është një privilegj.
Kapiteni i Qendrës së Personelit të Rekrutimit, Edison Kaja, deklaroi se aplikimi i të rinjve e të reja të interesuara mund bëhet edhe online në faqen e Ministrisë së Mbrojtjes deri më datë 20 janar.
Për t’u rekrutuar në FA si ushtar apo detar duhen plotësuar një sërë kriteresh, ku ndër të tjera është mosha minimale e rekrutimit mbi 18 vjeç.
M.B.





