Policia e Kukësit ka vënë në pranga një 17-vjeçar që lëvizte i armatosur me kallashnikov. Autoritetet sqarojnë se bazuar dhe në informacionet e siguruara nga qytetarët, se një adoleshent qarkullonte me armë zjarri, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Në drejtim të fshatit Shishtavec, efektivët kanë konstatuar duke ecur të miturin me iniciale B. P. Pas ndërhyrjes profesionale për të mos krijuar reagime apo dëmtime të palëve, është bërë kapja dhe arrestimi i 17-vjeçarit, i cili mbante me vete një armë zjarri kallashnikov me karikator me fishekë.

Tashmë adoleshenti do të përballet me gjykatën për veprën penale “Armëmbatja pa leje”.