1 në 3 teste Covid-19 rezultojnë pozitivë në Durrës. Situata epidemiologjike paraqitet e rënduar përsa i përket rasteve të reja që konstatohen përditë. Në raportimet ditore që Ministria e Shëndetësisë publikon, Durrësi në ditët e fundit renditet pas Tiranës për numrin e lartë të personave të infektuar.
“Aktualisht kemi rreth 1500 persona aktivë me Covid-19, të konfirmuar me Rapid Test apo tamponë. Ka një shtrirje në të gjitha zonat dhe në të gjitha grupmoshat. Evidentohet shtimi i rasteve edhe tek fëmijët. Nga referimet që bëhen nga mjekët e familjes kemi një pozitivitet në masën 30% të rasteve”,– bën të ditur për “DurrësLajm”, drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, Aurora Hyka.
Drejtoresha Hyka pranon faktin se në shumë institucione, shkolla por edhe sipërmarrje private është rritur ndjeshëm numri i personave të prekur nga variantet e Covid-19. Edhe në pediatrinë e qytetit ka shumë raste të miturish të infektuar, që paraqiten për trajtim shëndetësor. Fatmirësisht deri më tani nuk ka klasa të mbyllura në sistemin para universitar, por dhe atë universitar.
Që nga nisja e procesit të vaksinimit, në bashkitë Durrës dhe Shijak janë aplikuar 187 mijë doza vaksine. Sipas Hykës, interesimi i qytetarëve mbetet i lartë dhe një pjesë e konsiderueshme e të moshuarve kanë marrë tashmë edhe dozën e tretë të vaksinës.
M.B.





