Një numër i konsiderueshëm i shtëpive të pabanuara dhe të braktisura në Durrës janë kthyer në vende depozitimi mbetjesh.
Nga ana tjetër, nga pikpamja estetike ato dëmtojnë imazhin e qytetit, sidomos kur ndodhen në lagje të frekuentuara edhe nga turistët e huaj.
Një shembull i tillë i shëmtuar është kjo godinë njëkatëshe, që ndodhet në vijën e parë në bregdetin e Durrësit, më saktësisht në sektorin “Hekurudha”.

E braktisur, e dëmtuar, por edhe e mbushur me mbishkrime me gjuhë urrejtjeje, ajo ndodhet vetëm pak metra larg hoteleve të zonës.

E njëjta pamje e shëmtuar shfaqet edhe në lagjen nr.11, në aksin rrugor “Aleksandër Goga”, vetëm pak metra larg gjykatës së qytetit.

Godina dy katëshe është tërësisht e rrënuar dhe jo në pak raste kthehet në vend depozitimi mbetjesh.

“Aleksandër Goga” është një nga akset kryesore të qytetit, por njëkohësisht e gjithë zona njihet për përqendrimin e madh të objekteve të trashëgimisë kulturore, mjaft të vizituara nga turistët e huaj.
Problemet e pronësisë shpesh bëhen shkak për braktisjen disa vjeçare të këtyre godinave dhe njëkohësisht bëhen pengesë për ndërhyrjen tek ato, për t’i dhënë një pamje më dinjitoze, të përshtatshme me një qytet turistik.
M.B.





