Një 59-vjeçar është ndaluar nga policia pasi është kapur në pikën Hani i Hotit duke transportuar mallra ushqimorë të padeklaruara.

Nën hetim është vendosur shtetasi R.Sh., ku sipas policisë, ai ka kaluar disa herë nga kjo pikë kufitare.

Për këtë autoritetet kanë vendosur nën hetim edhe disa doganierë pasi dyshohet se kanë lejuar kalimin e mallrave kontrabandë.

Njoftimi i policisë:

Kontrolle intensive në pikat e kontrollit të kalimit kufitar, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Proçedohen penalisht 3 shtetas 1 prej tyre Doganier në PKK Han i Hotit. Sekuestrohet një armë gjahu, dhe disa mallra ushqimorë kontrabandë me qëllim tregtimin e tyre.

Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, nga Specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomiko Financiar në bashkëpunim me Drejtorinë e  Hetimit Doganor në PKK Han i Hotit  filloi proçedimi penal për  shtetasit:

  1. Sh., 59 vjeç, I. Rr., 48 vjeç, D. M., 28 vjeç, banues në Shkodër.

Shtetasi R. Sh është konstatuar në PKK Han i Hotit me disa mallra dhe produkte të cilat i ka kaluar pa deklaruar në organet doganore gjithashtu në vijim të  veprimeve hetimore gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi iu gjet një armë gjahu pa lejen përkatëse.

Në vijim është ushtruar kontroll në njërin prej subjekteve të cilit dyshohet se shtetasi R. Sh e furnizonte me produkte kontrabandë, me administrator shtetasin I. Rr.,  nga kontrolli i ushtruar në këtë aktivitet tregtar, janë konstatuar disa mallra apo produkte me mbishkrime malazeze dhe dyshohet se janë mallra kontrabandë me qëllim tregtimin e tyre.

Duke parë lëvizjet e shpeshta hyrje- daljet në drejtim të shtetit Malazez  të shtetasit R. Sh., i cili konsiderohej si person me risk dhe dyshohej se merret me kalimin e produkteve kontrabandë, u proçedua penalisht shtetasi D. M., me profesion doganier pasi dyshohet se në bashkëpunim dhe me doganier të tjerë kanë favorizuar shtetasin R. Sh. në kohë të ndryshme për kryerjen e këtij aktiviteti të kundraligjshëm.

U sekustruan në cilësinë e provës materiale, 1 armë gjahu dhe disa mallra ushqimorë kontrabandë.

Grupi Hetimor në  bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër po punon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundraligjshëm.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Shkodër, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Kontrabandë me mallra të tjera”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë“, “Fshehja e të ardhurave“ dhe “Shpërdorim detyre”