Bashkia Durrës ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp lidhur me akuzat e ngritura nga urbanisti Ardian Muka, emri i të cilit po lakohet si kandidat në garën për kryetar bashkie, që do të mbahen më 6 mars.
Në postimin e tij, Muka e konsideroi mashtrim njoftimin e bërë një ditë më parë nga kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, lidhur me përfundimin e investimit, për rehabilitimin e rrugës “Azem Hajdari”.
Në reagimin e bashkisë, shpjegohet se rruga “Azem Hajdari”, të cilës i referohet Muka ndodhet në Spitallë, ndërsa rruga për të cilën flet kryetarja Sako ndodhet në Njësinë Administrative Rrashbull.
“Është fatkeqësi që përfaqësuesit e opozitës nuk e njohin qytetin, por është e papranueshme që të hidhen akuza të kota mbi punë dhe fakte që janë në dritën e diellit”,- shkruan bashkia Durrrës në reagimin e saj.
Më tej, në reagim nënvizohet se “Bashkia e Durrësit vijon çdo ditë punën duke kryer investime të rëndësishme në shërbim të qytetit dhe qytetarëve”.
Reagimi i plotë:
Bashkia e Durrësit dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me akuzat e hedhura nga një përfaqësues opozitar i qytetit, i cili pretendon se rruga “Azem Hajdari” nuk është asfaltuar.
Në faqen zyrtare të kryebashkiakes Emiriana Sako është publikuar një postim ku thuhet se rruga “Azem Hajdari” në Rrashbull ka përfunduar asfaltimin. Rruga është aty dhe kushdo mund ta shohë. Rruga tjetër me emrin “Azem Hajdari”, e cila ndodhet në zonën e Spitallës është ende duke u punuar për infrastrukturën nëntokësore e më pas do të vijojë puna nëpërmjet FSHZH me asfaltimin, trotuaret, ndriçimin, gjelbërimin dhe korsinë e bicikletave. Pra janë dy rrugë “Azem Hajdari” në Durrës dhe ajo për të cilën bëhet fjalë në postimin e kryebashkiakes e që ndodhet në Rrashbull është e asfaltuar.
Përfaqësuesi i opozitës në akuzat e tij i referohet rrugës së Spitallës, ndërkohë që në postimin e kryebashkiakes flitet për rrugën e Rrashbullit. Është fatkeqësi që përfaqësuesit e opozitës nuk e njohin qytetin por është e papranueshme që të hidhen akuza të kota mbi punë dhe fakte që janë në dritën e diellit. Bashkia e Durrësit vijon çdo ditë punën duke kryer investime të rëndësishme në shërbim të qytetit dhe qytetarëve.