Një ditë më parë është ekzekutuar me armë zjarri në Belgjikë Bledar Muça. Ky i fundit njihej si krahu i djathtë Ardian e Florenc Çapjas në Elbasan, dhe ishte një emër i njohur për drejtësinë.
Po kush ishte Bledar Muça?
Me origjinë nga Peshkopia, është i lindur dhe i rritur në Elbasan. Ai ishte vëllai i Ferit Muçës, 42-vjeçarit që u plagos rëndë në një atentat.
Kujtojmë që në vitin 2016, Bledar Muça mbeti i plagosur si pasojë e një atentati ku objektiv ishte ai dhe Florenc Çapja.
Bledar Muça ka qenë një prej të dyshuarve për vrasjen e vëllezërve Roland dhe Ilir Rexhepi, të cilët u ekzekutuan në qytetin e Elbasanit.
Dy vite më parë Muça u shpall në kërkim ndërkombëtar për vrasjen e vëllait të Roland Rexhepit, ish-efektivi i policisë që njihej me pseudonimin “Doda”.
Dy vjet pas Roland Rexhepit, në fund të vitit 2011 do të ekzekutohej me dy plumba edhe vëllai i tij, biznesmeni Ilir Rexhepi.
Pas vrasjeve, policia nisi kërkimet për Bledar Muçën, por ky ia doli të kalonte kufirin pa u vënë në pranga.





