Parlamenti i Hungarisë pritet të votojë një paketë ndryshimesh kushtetuese që synojnë largimin e presidentit, aleat i ish-kryeministrit Viktor Orban. Nisma është ndër prioritetet e kryeministrit Peter Magyar, i cili mori pushtetin pas zgjedhjeve të prillit me premtimin për ndryshim të sistemit të ndërtuar gjatë 16 viteve të qeverisjes së Orbanit.
Magyar e ka cilësuar presidentin Tamas Sulyok dhe disa drejtues të tjerë të institucioneve si “kukulla” të paraardhësit të tij. Ai argumenton se presidenti nuk mbrojti shtetin e së drejtës dhe nuk reagoi ndaj retorikës përçarëse të Orbanit.
Paketa prej 12 ndryshimesh kushtetuese synon të kufizojë ndikimin e rrjetit politik të ngritur gjatë qeverisjes së mëparshme. Partia e Viktor Orbanit e ka kundërshtuar nismën, duke e cilësuar atë si autoritare.
Edhe organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë shprehur shqetësime. Amnesty International deklaroi se presidenti ka të drejtë për një proces të rregullt ligjor, ndërsa Human Rights Watch tha se mënyra e propozuar të kujton praktikat e periudhës së Fidesz.
Nga ana tjetër, ish-kryetari i Gjykatës së Lartë, mbrojti ndryshimet, duke argumentuar se Hungaria u shndërrua në një “shtet të kapur” gjatë qeverisjes së Orbánit dhe se nevojiten masa të jashtëzakonshme për rikthimin e rendit kushtetues.
Partia e Magyarit gëzon shumicën prej dy të tretash në parlament, çka i mundëson miratimin e amendamenteve pa mbështetjen e opozitës.
Magyar ka paralajmëruar se, nëse ndryshimet miratohen dhe Sulyok refuzon t’i dekretojë, do të nisë procedurat për shkarkimin e tij nga detyra.
Megjithëse posti i presidentit në Hungari ka kryesisht kompetenca ceremoniale, ai mund të kthejë ligjet për rishqyrtim ose t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas një sondazhi të muajit maj, 67% e qytetarëve hungarezë mbështesin largimin e Sulyokut nga posti i presidentit.
Paketa kushtetuese parashikon gjithashtu kufizimin e mandateve të deputetëve në maksimum 12 vjet ose tre mandate, rikthimin e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e ligjeve buxhetore dhe rivendosjen e moshës së detyrueshme të pensionimit 70 vjeç për gjyqtarët e saj.
Një tjetër element i reformës është krijimi i një Zyre Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Pasurive, me kompetenca të zgjeruara për hetimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e fondeve publike.





