Mijëra automjete janë aktualisht të bllokuara në aksin Atiki Odhos dhe në akset periferike të Athinës.
Gjatë gjithë natës, ekipet e shpëtimit mundën të nxjerrin nga ky aks më shumë se 1800 vetura dhe kamionë, ndërsa mbeten ende të izoluar më shumë se 1200 të tjerë.
Shumë prej makinave nuk kanë më karburant dhe furnizime me ushqime, ndaj dhe gjatë natës është tentuar furnizimi dhe më pas zhbllokimi i automjeteve.
Në aeroportin e Athinës janë mijëra persona të izoluar, në pritje të evakuimit pasi aksi që lidh aeroportin me kryeqytetin mbetet i bllokuar prej 18 orësh.
Edhe në kryeqytet është pezulluar pothuaj fare trafiku, ndërsa automjetet e pakta që lëvizin janë të pajisura me zinxhirë.
Temperaturat kanë arritur në -16 gradë në disa zona të vendit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për të mbajtur funksionale linjat e energjisë elektrike. Ndërprerje energjie janë shënuar në periferi të Athinës dhe në zonën e Evias.





