Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar këtë të martë në lidhje me përplasjen në distancë mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kreut të FSHF-së, Armand Duka, në prag të zgjedhjeve për kreun e ri të FSHF-së që do mbahen në datë 2 mars 2022.

Në një postim në “Facebook”, Meta pyet me ironi përse mazhoranca kërkon të përzejë Shqipërinë nga UEFA, teksa më parë ka bllokuar dhe rrugën e integrimit Europian.

Mesazhi i Metës vjen pak pasi UEFA reagoi ne lidhje me kete situate mes Veliajt dhe Dukes, e cila me anë të një deklarate ka thënë se ndërhyrjet e politikës në futboll ishin bërë tepër shqetësuese dhe shtoi se së shpejti do të bënin një vizitë në Shqipëri. 

Përplasjet mes kreut të bashkisë të Tiranës, Erion Veliajt dhe presidentit të FSHF, Armand Dukës kanë bërë dje temën e ditës duke kulmuar gjatë mbrëmjes ku një tritol u vendos në shtëpinë e Dukës.

“Negociatat keni tre vjet që na i bllokuat me Bashkimin Europian, po nga UEFA përse doni të na përzini? Mjaft me dhunë politike dhe shantazhe mafioze ndaj sportit!”, shkruan Meta.