I pranishëm në një ceremoni në Durrës, presidenti Ilir Meta komentoi edhe situatën politike në qytetin bregdetar, ku më 6 mars pritet të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale për kryetar bashkie. I pyetur nga “DurrësLajm” lidhur me deklaratën e një bërë një ditë më parë nga dega lokale e LSI-së lidhur me kalimin e shumave të parave që lidhen me procesin e rindërtimit gjë që rrezikon përsëritjen e fenomenit të blerjes së votës siç ndodhi më 25 prill, presidenti Meta zgjodhi të përgjigjej në mënyrë diplomatike duke theksuar se këto zgjedhje duhet të shërbejnë për të rikthyer “integritetin cënuar rëndë të votës së lirë”.
“I ftoj qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje dhe të tregojnë respekt për veten e tyre, për familjet e tyre duke e çmuar votën si të shenjtë, si fuqinë më të madhe në demokraci, si një mundësi që kurrë nuk duhet humbur, përkundrazi si e vetmja rrugë qe të jep të drejtë morale si qytetar nesër të kërkosh llogari për atë që ke zgjedhur. Përsa i përket institucioneve të tjera, shpresojmë që të gjitha të përmbushin detyrimet e tyre dhe këto zgjedhje të jeni një mundësi për të rivendosur integritetin e cënuar rëndë të votës së lirë në vend”.
Pyetje: Besoni se këto zgjedhje do ta ruajnë integritetin e votës?
Unë uroj dhe i nxis të gjithë në këtë drejtim dhe kjo fillon që nga pasqyrimi korrekt i mediave jashtë cdo presioni dhe censure i fushatës që do të zhvillohet, i kandidatëve që do të paraqiten dhe vazhdon me të gjitha aspaketet e tjera sepse ky është një proces që ka vetëm një element.
M.B.