Ditën e nesërme Komisioni i Rithemelimit në degën e Partisë Demokratike në Durrës do të mbajë primaret për të zgjedhur kandidatin që do të garojë në zgjedhjet e 6 marsit.

Urbanisti Ardian Muka dhe 28-vjeçarja Silvja Gjepali, e diplomuar për Teknologji Informacioni, janë deri më tani dy kandidaturat që kanë plotësuar formularin e përgatitur nga Komisioni i Rithemelimit.

Përmes një postimi në “Facebook”, PD Durrës njofton se procesi i votimit do të mbahet tek Pallati i Kulturës “Aleksandër Moisiu” dhe do të fillojë në orë 08:00 deri në 17:00.

“Për herë te parë antarësia e Partisë Demokratike përmes primareve vendos me votë për kandidatin më të mirë.”, mbyllet postimi i PD Durrës.

Postimi i plotë:

Të nderuar anëtarë të Partisë Demokratike Dega Durrës!

Ju njoftojmë se nesër, datë 30 Janar, nga ora 08:00 deri në 17:00, në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu ” zhvillohet e procesi i votimit për përzgjedhjen e kandidaturës më të mirë të ardhur nga propozimet e bazës, për Bashkinë Durrës.

Për herë te parë antarësia e Partisë Demokratike përmes primareve vendos me votë për kandidatin më të mirë.