Policia e Shtetit ka bërë bilancin e punës së realizuar prej saj në një javë. Në një njoftim për mediat bëhet me dije se gjatë kësaj jave, në të gjithë vendin, janë arrestuar 171 persona, janë proceduar penalisht 251 persona dhe janë shpallur në kërkim 27 persona, për vepra të ndryshme penale.
Ndërkaq, janë kapur 17 persona të shpallur në kërkim, nga këta 16 në kërkim kombëtar dhe 1 në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 24 vjet burg.
Gjatë javës, janë zhvilluar 11 operacione policore të koduara, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ndaj jetës dhe pronës, armëmbajtjes pa leje, kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe lojërave të fatit, konkretisht operacionet: “Storm”, “Red Jacket”, “Kral”, “Munella”, “Kaçinari”, “Transporter” “Transporter 2”, “Fati i lojërave”, “Volloder”, Liqeni i Zi” dhe “Kepi i Vozajve”, në kuadër të të cilëve janë arrestuar 49 persona, janë proceduar penalisht 4 persona dhe janë shpallur në kërkim 4 persona.
Po në kuadër të këtyre operacioneve janë sekuestruar rreth 78 kg kanabis, një kallashnikov, një sasi e madhe municioni luftarak, një pushkë sportive, 4 pistoleta sportive, tavolina pokeri, çipsa e shuma parash. Gjithashtu, gjatë operacionit në Sarandë, është zbuluar një ambient që shërbente për kultivimin e kanabisit me anë të llambave.
Autoritetet bëjnë me dije se janë evidentuar 29 raste të krimeve mjedisore, për të cilat janë arrestuar në flagrancë 2 persona dhe janë proceduar penalisht 27 persona.
Në fushën e narkotikëve janë goditur 39 raste, janë arrestuar 24 persona, janë proceduar 18 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 persona.
Për dhunë në familje janë arrestuar 11 persona, 8 janë proceduar penalisht dhe 1 është shpallur në kërkim.
Në fushën e krimit ekonomik e financiar janë evidentuar 16 raste, për të cilat janë arrestuar 6 persona, janë proceduar 9 persona dhe 1 është shpallur në kërkim. Janë sekuestruar euro, dinarë të Maqedonisë së Veriut dhe franga zvicerane.
Po gjatë javës janë evidentuar 8 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë. Për këto raste janë arrestuar 4 persona, ndërsa 4 të tjerë janë proceduar penalisht.
Në fushën e qarkullimit rrugor janë pezulluar 303 leje drejtimi, nga të cilat: 225 për shpejtësi tej normave të lejuara, 58 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 20 për qarkullim në sens të kundërt. Janë arrestuar 50 persona, nga këta: 25 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 23 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 2 për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, me pasoja për jetën.