Njerëzit me presion të lartë të gjakut që marrin paracetamol me recetë mund të rrisin rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru, sipas një studimi. Mjekët duhet të mendojnë për rreziqet dhe përfitimet për pacientët që e marrin për shumë muaj, thonë studiuesit e Universitetit të Edinburgut.

Megjithatë, ata theksojnë se marrja e qetësuesve për dhimbje koke dhe ethe është e sigurt.

Paracetamoli përdoret gjerësisht në mbarë botën si një ilaç afatshkurtër për dhimbjet, por gjithashtu jepet me recetë për të menaxhuar dhimbjet kronike, pavarësisht nga dëshmitë e pakta të përfitimit të tij për përdorim afatgjatë.

Studimi gjurmoi 110 vullnetarë, dy të tretat e të cilëve merrnin ilaçe për presionin e lartë të gjakut ose hipertensionin. Në një provë të rastësishme, atyre iu kërkua të merrnin 1 g paracetamol katër herë në ditë për dy javë dhe më pas pilula bedel, ose placebo, për dy javë të tjera.

“Prova tregoi se paracetamoli rrit presionin e gjakut, një nga faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për sulmet në zemër dhe goditjet në tru, shumë më tepër sesa një placebo”, tha farmakologu klinik i Edinburgut Prof James Dear.

Studiuesit këshillojnë mjekët që me pacientët me dhimbje kronike të fillojnë me një dozë sa më të ulët të paracetamolit dhe të kenë kujdes për ata me presion të lartë të gjakut dhe me rrezik të sëmundjeve të zemrës.

Hetuesi kryesor Dr Iain MacIntyre, konsulent farmakologjik klinik, në NHS Lothian, tha:

“Kjo nuk ka të bëjë me përdorimin afatshkurtër të paracetamolit për dhimbje koke ose ethe, që është, natyrisht, ok”.

Megjithatë, ende ka shumë të panjohura dhe ekspertë të tjerë thonë se nevojiten kërkime në më shumë njerëz për një periudhë më të gjatë kohore për të konfirmuar gjetjet.