Nga Mila Ballhysa
Në një kohë kur Durrësi ishte përfshirë nga era e fortë që shkaktoi dallgë të mëdha në Adriatik dhe Gjykata Kushtetuese pritej të jepte një vendim për të, presidenti Ilir Meta zbarkoi në qytetin bregdetar.
Këtë e konfirmoi vetë përmes një fotoje me dy gishtat lart të publikuar në rrjetin e tij social pasdreken e së hënës (7 shkurt), ndërsa përkrah saj shkruante:
“Durrësi edhe në dimër i paparë! Po në Pranverë?✌️”
Temperaturat e kësaj fillim jave ishin tipike dimërore, por kreu i shtetit kishte ndërmend pranverën…
A i referohej presidenti pranverës së pas një muaji, kur në Durrës do të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit? Mbase po, meqë postimi shoqërohej me dy gishtat lart, që shfaqeshin si në foto, ashtu edhe në tekst.
A i bëri diss në këtë rast rivalit të tij politik Edi Ramës, që në zgjedhjet parlamentare të një viti më parë i ngriti dy gishtat lart edhe më shumë sesa kreu i PD, Lulzim Basha? Mbase po, meqë në Durrës nuk është një përplasje e thjeshtë mes 3 kandidatëve për postin e kryebashkiakut, por shumë më shumë se kaq.
Në Durrës më 6 mars përplasen Edi Rama, i cili është deputet i qarkut, Lulzim Basha me kandidatin e tij, Sali Berisha, por edhe Ilir Meta, partia e bashkëshortes së të cilit ka shprehur publikisht mbështetjen për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, Ardian Muka.
A ishin dy gishtat lart të Metës një sinjal i pastër se Kreu i Shtetit (që po pret vendimin e Kushtetueses për shkarkimin apo mosshkarkimin e tij) po tund flamurin e politikës aktive dhe nuk do t’ua bëjë aspak të lehtë rivalëve politikë largimin e tij të pazëshëm nga politika? Mbase po, sepse Ilir Meta ka treguar gjatë të gjithë viteve të presidencës së tij, se përkundër numrit të lartë të dekoratave që ka shpërndarë, ai di shumë mirë të dalë shpeshherë jashtë kuadrit ku e ka kufizuar mandati presidencial. Tubimi i 2 marsit 2021 ishte një dëshmi e qartë e kësaj. Selfie me dy gishtat lart vetëm një kat më sipër shtabit elektoral të kandidatit Muka mund të shihen si një mesazh i pastër i pozicionit që do të mbajë Kreu i Shtetit në këtë fushatë mjaft delikate, kur fati i pluralizmit politik në Shqipëri është në fije të perit.
Në një qytet që qeveriset prej më shumë se 2 dekadash nga socialistët, Meta bën selfie me dy gishtat lart. Ky simbol i kahershëm i PD-së që sot më shumë se kurrë merr një tjetër kuptim (2 gishta për 2 kryetarë që e pretendojnë partinë) dikur simbolizonte Liri dhe Demokraci. Dy aspirata të një populli të shtypur nga diktatura enveriste, por që në ditët tona gati-gati mungojnë në “pluralizmin” e mefshtë shqiptar.
Në prill të 2021, LSI e humbi një mandat në Durrës për pak vota. Në ndryshim nga 10 muaj më parë, një ish-ministër i Metës dhe kandidat për deputet i Ramës është në burg, i akuzuar për aferën e inceneratorëve. Pas kryeministrit Rama, ai ishte kandidati më i votuar në Durrës. Një pikëpyetje e madhe është se ku do të shkojnë votat personale të tij…
Në konferencën e sotme për shtyp, presidenti Ilir Meta bëri një tjetër deklaratë të fortë kur u shpreh:
“Ta harrojnë njëherë e përgjithmonë, të gjithë rilindasit vendas (mavi dhe blu) dhe ata ndërkombëtarë kudo ku janë, që do të mund të varrosin “de facto” pluralizmin politik në Shqipëri”.
Zgjedhjet e 6 marsit në 6 bashki të vendit janë të parat zgjedhje pluraliste lokale pas farsës së 30 qershorit 2019. Mbeten tani për tani i vetmi shans që disa bashki të vendit të mos qeverisen nga PS.
Me një dobësi të kahershme ndaj Doktorit, për të cilin pranoi publikisht se e kishte takuar, dhe në “luftë” në distancë me Lulzim Bashën, të cilin nuk denjoi as ta thirrte për t’u konsultuar për datën e zgjedhjeve lokale, Ilir Meta nuk bëri thjesht një selfie në një ditë me mot të trazuar në Durrës.
Ai dërgoi qartazi një sinjal për praninë e tij aktive në politikë, që e përforcoi edhe sot, kur deklaroi me ton të prerë:
“JAM ILIR META O SUPERBUDALLENJ!”