Detaje të reja kanë dalë në lidhje me zjarrin e frikshëm që përfshiu mëngjesin e sotëm tragetin Greqi-Itali.

Sipas mediave vendase, mësohet se deri tani rezultojnë të humbur 11 pasagjerë. Një prej pasagjerëve tha se në garazh mund të ketë akoma persona të cilët kanë qenë në gjumë dhe nuk kanë mundur të dalin në kohë.

“Ne u zgjuam në orën 4.30 të mëngjesit dhe pamë që zjarri filloi në garazh dhe u përhap me shpejtësi. Jemi në varkat e shpëtimit, konkretisht në atë që jam unë, jemi 140 veta. Kam frikë se jo të gjithë kanë shpëtuar sepse në garazh duhet të ketë njerëz që i kishte zënë gjumi”, tha ai për mediat greke.

Kujtojmë se mëngjesi ne sotëm, një zjarr i madh ka rënë në kuvertën 3 të tragetit të pasagjerëve Euroferry Olympia të kompanisë Grimaldi që lundron në zonën detare pranë Igumenicës, nën flamurin italian. Në traget, ndodheshin 237 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit.

Menjëherë u dha alarmi për zjarr në bord dhe pothuajse të gjithë udhëtarët hipën në varkat e shpëtimit. Anija e parë që i shkoi në ndihmë tragetit ka qenë një mjet i rojes bregdetare italiane që kishte shkuar në Korfuz për riparime dhe po kthehej drejt Italisë. Gjatë kthimit, në mes të detit panë tragetin e përfshirë nga flakët. Më pas në vendngjarje shkuan rimorkiatorë të tjerë dhe anije për të transportuar udhëtarët që zbritën nga trageti në flakë.

Shkaku i rënies së zjarrit nuk është i qartë dhe pritet hetimi i autoriteteve për të zbardhur ngjarjen.