Gjatë dekadës së kaluar, papunësia në mesin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor ka qenë një problem i vazhdueshëm. Të rinjtë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova po largohen në mënyrë masive nga Ballkani në kërkim të mundësive më të mira për punë dhe një shansi për një jetë më cilësore. 

“Edhe pse ka papunësi në Kosovë, mendoj se mjekët, avokatët, arkitektët nuk do të mbeteshin pa punë. Por pagat janë shumë të ulta; pjesa më e madhe e mjekëve në Kosovë punojnë edhe privat [si punë e dytë] për të bërë një jetesë mbi mesataren, sepse paga nga shteti nuk është e mjaftueshme,” tha Genista, 20 vjeçare nga Kosova, që tani studion biokimi në Universitetin e Tetovës, e që dëshiron të transferohet në shkollën e mjekësisë në universitetin e njëjtë. 

Genista jeton në një apartament me pesë shoqe dhome të tjera në Tetovë, kështu që pritëm deri sa gjeti një dhomë më të qetë. Është fillimi i vitit akademik dhe ajo është larg nga vendlindja e saj – Ferizaji në Kosovë. Largimi nga familja, miqtë dhe vendi i saj i lindjes për të ndjekur ëndrrën e saj nuk ishte i lehtë. Mu sikur ata që e lënë vendin për shkak të mungesës së vendeve të punës, ajo po lë vendlindjen në kërkim të një shkollimi më të mirë dhe rrjedhimisht për të përmirësuar shanset e saj për të gjetur një punë të denjë. 

“Sinqerisht, nëse nuk do të studioja të bëhesha mjeke, do të kisha shkuar jashtë vendit, diku në Evropë, për të studiuar diçka tjetër, për të punuar dhe për të pasur një jetë më të mirë. Nuk do të kisha qëndruar në Kosovë,” thotë Genista. 

Sipas ASK-së, Agjencia e Kosovës për Statistika, në vitin 2013, papunësia e të rinjve në Kosovë arrinte në 31.0%. 

Gjërat nuk janë përmirësuar. Vetëm vitin e shkuar, papunësia e të rinjve arriti në 30.5%. Dikush mund të mendojë se kjo ka ardhur edhe si pasojë e pandemisë Covid-19, por situata ishte edhe më e keqe në vitin 2019, ku shkalla e papunësisë tek të rinjtë në Kosovë arrinte 34.7%. 

Bosnja dhe Hercegovina është përballur me shumë probleme politike për vite me radhë dhe një krizë tjetër nuk ndihmon fare. 

Erol Handžar (25), gazetar i ri nga Sarajeva, tha se situata politike është përkeqësuar ndër vite, nuk është se gjithçka ndodhi në një ditë. Sipas Handžar, qytetarët bien pre e premtimeve boshe të politikanëve, që përdorin fjalë të tilla si, “prosperiteti dhe progresi, vetëm gjatë fushatave; duke na kënduar serenata për një jetë më të mirë. Në fund qytetarët do të përpiqen të marrin biletat e avionit për ndonjë vend më të mirë të premtuar sepse situata nuk do të bëhet më e mirë në asnjë mënyrë.” 

Pika e fundit që mbushi kupën ishte kur të rinjtë e Bosnje dhe Hercegovinës u ushqyen me tregimin se mund të ndodhë një “konflikt i mundshëm”. 

Pas vendimit të Valentin Inzko, si ish-Përfaqësuesi i Lartë i Bosnjës dhe Hercegovinës, për imponimin e një ligji që ndalon mohimin e gjenocidit dhe që e bën atë një krim të dënueshëm me ligj. U krijua shumë tension kur Milorad Dodik, anëtar i Presidencës që përfaqëson serbët etnikë në Bosnje dhe Hercegovinë, e përdori këtë si një arsye më shumë për të bllokuar funksionalitetin e institucioneve shtetërore. 

Për shkak të situatës politike të paqëndrueshme, gjenerata e të rinjve në Bosnje dhe Hercegovinë do të tentojë edhe më shumë të largohet nga vendi. 

Çfarë rezervon e ardhmja për profesionistët e rinj? 

Përqindjet e papunësisë po shkaktojnë probleme në Ballkanin Perëndimor sepse e ardhmja e të rinjve është e pasigurt. Vendet e punës janë të pakta dhe mungesa e përgjithshme e standardeve ekonomike dhe e sigurisë financiare po i shtyn gjithnjë e më shumë të rinjtë që të largohen. 

Sipas një studimi të udhëhequr nga profesori i makroekonomisë në Shkollën për Shkencë dhe Teknologji (SSST) në Sarajevë, Faruk Hadžić, “Gjermania pret 37% rënie në fuqinë e saj punëtore në 10 vitet e ardhshme, ose 16 milion punëtorë, dhe pa dyshim që ky fakt do të ketë ndikim në vendet e Ballkanit Perëndimor si eksportues kryesorë të vendeve të punës”.

Ballkani Perëndimor ka patur probleme me papunësinë për vite me radhë. Sipas BHAS, Agjencisë së Statistikave të BeH-së, përqindja e personave të papunësuar në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 2019 ishte 15.7%. 

Në Shqipëri, përqindja më e lartë e të rinjve të papunësuar është regjistruar përgjatë vitit 2010, kur 31.5% e të rinjve ishin të papunë. Shumë studentë fajësojnë sistemin e arsimit dhe mungesën e kulturës së praktikave të punës në Shqipëri për këtë gjendje të tanishme, duke kërkuar që të gjendet një mënyrë për përfshirjen e praktikave si pjesë e mirëfilltë e kurrikulës, dhe jo vetëm si formalitet. 

“Arsyeja kryesore për papunësinë e të rinjve është fakti se studentët rrallëherë marrin përvojë praktike gjatë studimeve universitare dhe praktikat e punës që zakonisht zhvillohen si pjesë e kurrikulës janë më shumë një formalitet se sa një përvojë e mirë për zhvillimin profesional të studentëve. Si rezultat, pjesa më e madhe e studentëve nuk janë gati për të hyrë në tregun e punës sepse për shumicën e këtyre vendeve të punës kërkohet përvojë,” tha Gevio Tabaku, përfaqësues i Bordit Kombëtar Studentor

Sipas INSTAT, Institutit të Statistikave të Shqipërisë, në vitin 2019 përqindja e të rinjve të papunë arriti në 26.6%. Ndonëse ka pasur një rënie të lehtë gjatë dekadës së fundit, përqindja e papunësisë mbetet e lartë. 

Zgjidhje praktike?

Djellza Kryeziu, 27 vjeçare, që u largua për në Gjermani këtë janar, tha se nuk beson se do të kishte qëndruar, “të paktën jo në Kosovën që është tani.” 

Kur u largua fillimisht në Gjermani, ajo punonte si dado, por shumë shpejt pastaj filloi një program praktike ose Ausbildung. Është një program studimi unik që përfshin mësimin, punën dhe pagesën, program që fatkeqësisht nuk ka një ekuivalent në asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. 

“Në institucionet shtetërore, në 99% të rasteve personat punësohen nga miqtë dhe të afërmit, duke ia zënë vendin dikujt që ka studiuar dhe që është më i mirë në atë punë, por që nuk i njeh ‘personat e duhur,’” tha Kryeziu.

Më shumë se 11.5 milion euro janë ndarë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë në Strategjinë për Rininë 2019-2023, me synim përmirësimin e situatës së të rinjve të moshës 15-24 vjeç. 

Osman Gashi, Drejtor për komunikimin në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, tha se Ministria ka filluar programin për punë praktike të studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

“Gjatë vitit 2021, MKRS-ja ka zhvilluar disa programe për ta nxitur punësimin e të rinjve: Programe trajnimi për ndërmarrësinë dhe shkathtësitë për biznes; Programi i granteve për të mbështetur ndërmarrësit e rinj; Programi i ndërmarrësisë për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Programi për Rimëkëmbje Ekonomike. Vlera financiare është rreth 1,400,000.00 euro,” shkruan ai. 

Kur u pyet për rezultatet e këtyre programeve, nuk morëm asnjë përgjigje. 

Në nivel të BE-së, ka pasur bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet lokale drejt përmirësimit të sistemit të arsimit në të gjitha vendet që aspirojnë t’i bashkohen BE-së dhe konkluzionet nga Riga synojnë të përmirësojnë arsimin dhe trajnimin profesional, një politikë që do të ekzekutohet përgjatë periudhës 2021-2030. 

Gjithashtu, nga mesi i shtatorit 2020, Bashkimi Evropian ka financuar projektin “Arsimi për punësim,” si pjesë e Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit. Qëllimi i përgjithshëm është zhvillimi i burimeve njerëzore në pajtim me nevojat e tregut të punës, “duke e rritur rëndësinë e arsimit për tregun e punës përmes zhvillimit të karrierës dhe cilësisë në arsimin e lartë, si dhe përmirësimit të kapacitetit të burimeve njerëzore në të gjitha nivelet e arsimit”.

Që nga 22 tetori 2021 Shqipëria ka investuar gati një gjysmë miliard euro [51,540,000,000 ALL] duke miratuar Strategjinë e re Kombëtare të Arsimit 2021-2026, që synon lidhjen e sistemit të arsimit të lartë me nevojat e tregut të punës. 

Përveç kësaj, janë zbatuar tri Strategjitë e mëparshme kombëtare për punësim dhe aftësi: 2019-2022; 2017-2021; 2014-2018. Megjithatë, kur pyetëm Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë për rezultatet e strategjive të mëparshme, nuk morën përgjigje as për rezultatet e arritura e as për kostot. Kemi marrë informacione vetëm për Programin Kombëtar të Praktikave të Punës që ka punësuar studentë të sapodiplomuar në administratën publike për një periudhë prej 3 muajsh, “dhe deri në 200 më të mirëve u ofrohet një kontratë 1 vjeçare.” Kjo praktikë është zbatuar në periudhën 2017-2021. 

“Për shkak të papunësisë, rinia e Ballkanit Perëndimor është lënë pa shpresa,” tha Djellza.

Dekada korrupsioni, nepotizmi dhe politikash jo të mira e kanë lënë tregun e punës në Ballkanin Perëndimor pa mundësi për të rinjtë. Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të fillojnë të punojnë në mënyrë aktive drejt përmirësimit të situatës së gjeneratës së të rinjve, përndryshe ata janë në rrezik të lartë të një “shterimi konstant të trurit”, ndërkohë që pjesa tjetër e popullatës që punon po plaket. 

Shkruar nga Redžo Efendić (Bosnje dhe Hercegovinë); Ilda Kurti (Shqipëri); Adnita Pacolli (Kosovë)