Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka tërhequr vëmendjen institucione publike dhe organeve të tyre të varësisë, si dhe kryetarëve të bashkive Shkodër, Vorë, Durrës, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë të respektojnë Kodin Zgjedhor.
Sipas, KQZ-së, aktivitetet të cilat do të kryhen nga institucionet nuk janë raportuar në kohë, duke mos respektuar afatin për raportim.
Njoftimi I plotë:
Nga monitorimi i ndërfaqes së raportimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për veprimtaritë publike të institucioneve, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie të datës 6 Mars 2022, janë konstatuar këto problematika:
Aktivitetet të cilat do të kryen nga institucionet, nuk janë raportuar në kohë duke mos respektuar afatin 5 (pesë) ditor për raportim, të sanksionuar në nenin 4, pika 4, të vendimit nr. 9 datë 24.12.2020 të Komisionit Rregullator.
“Tematika e Veprimtarisë” së kryer nga institucioni raportues, është jo e plotë dhe e përgjithshme. Mungesa e detajuar e informacionit mbi tematikën e veprimtarisë bën që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, mos të ketë mundësinë për të klasifikuar veprimtarinë e kryer si të ndaluar ose jo.
Drejtuesit e institucioneve publike dhe kryetarët e njësive të qeverisjes vendore ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, të marrin masa të menjëhershme, për respektimin e dispozitave të vendimit nr. 9, datë 24.12.2020, të Komisionit Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.