Kandidati i Shtëpisë së Lirisë, Ardian Muka, në intervistë në emisionin A Show të moderatorit Adi Krasta në Syri Tv, foli për zgjedhjet e 6 marsit.

Muka theksoi se ndërtimet pa kriter kanë shkatërruar historinë e lashtësinë e Durrësit, duke shtuar se duhen ndaluar vjedhjet marrëmendëse.

“Ndërtimet shkatërruan historinë e qytetit të Durrësit. Nisën me Shatërvanin, vazhduan me Velierën, e ne vijuam me ndërgjegjen qytetare, kemi protestuar dhe jemi shprehur kundër ndërtimit të Velierës. Valiera është aty dhe ka miliarda euro të vjedhura, them të vjedhura, sepse nuk i shërbeu qytetit, nuk rregulloi asgjë, por përkundrazi shkatërroi asamblin, që ishte si qendër e dytë e qytetit.

Kur vjen aty, nuk e shikon më Torrën. Nuk ka më Torrë, del vetëm një masë çeliku. Qyteti do ndryshimin dhe ndryshimi do vijë, sepse paratë janë, por të gjithë jemi të vjedhur. Ftoj të gjithë të tjerët që janë kandidatë që të dalin nga rruga e errët e të vijnë në dritë. Durrësi ka nevojë për zemër dhe vizion, e këto bëhen bashkë. Do jem shërbëtori i të gjithë qytetarëve të Durrësit”, deklaroi Muka.