Kreu manovra të rrezikshme dhe gara shpejtësie në rrugën interurbane Tiranë-Durrës në pikun e trafikut duke rrezikuar jetën e përdoruesve të rrugës, por identifikohet dhe bllokohet nga Policia Rrugore e Tiranës, si dhe ndëshkohet me masë administrative 40.000 lekë të rinj.
Në kuadër të masave të marra nga Policia Rrugore e Tiranës për drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, nuk rregullojnë shpejtësinë dhe bëjnë gara me shpejtësi, në datën 23.02.2022 nëpërmjet rrjeteve sociale, është publikuar një video e një mjeti markë “BMW” ku drejtuesi i mjetit bënte manovra të rrezikshme dhe gara shpejtësie në autostradën Tiranë-Durrës, duke rrezikuar veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Falë punës intensive të mirë organizuar u bë e mundur gjetja dhe ndalimi i mjetit së bashku me drejtuesin e mjetit, shtetasin L. G. Për kundërvajtjen e kryer ndaj drejtuesit të mjetit u vendos masa administrative me vlerë 40,000 (dyzet mijë) lekë si dhe u mor masa e bllokimit për automjetin.
Gjithashtu, gjatë 72 orëve të fundit, janë evidentuar e ndëshkuar me nga 40.000 lekë të rinj edhe 14 drejtues mjetesh që kryenin gara shpejtësie e manovra të rrezikshme në rrugë.Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët, që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.