Sali Berisha mbylli fushatën elektorale në Durrës, ku kandidon për kryetar bashkie Ardian Muka, përfaqësues i koalicionit opozitar “Shtëpia e Lirisë”.

Berisha kërkoi votat për Mukën të dielën, duke deklaruar se vota për kandidatin e opozitës, është votë për të mbrojtur të ardhmen e qytetit.

Duke iu referuar Portit, Berisha tha se po zhvillohet një betejë e padukshme mes Durrësit të shekullit të mijëvjeçarëve dhe mafies qeveritare të kryesuar nga Edi Rama. 

Deklarata e Berishës:

Ju garantoj se çdo votë për Ardi Mukën do të jetë votë për shërbime ndaj jush, do të jetë votë për të rikthyer bashkinë e Durrësit qytetarëve të saj të nderuar, do të jetë votë për një pushtet të ri i cili do të ketë në epiqendër qytetarin hallet, dertet, nevojat e tij.

Por vota e 6 marsit në Durrës është një votë kombëtare, votë e një rëndësie të jashtëzakonshme. As 200 m larg nga ky shesh zhvillohet e padukshme një betejë midis Durrësit të shekullit të mijëvjeçarëve dhe mafies qeveritare të kryesuar nga Edi Rama i cili kërkon t’ju plaçkisë Durrësin. Jo më pak se 820 mijë km2 baraz me 1 mijë euro për çdo banor qytetar të Durrësit.

Është votë për të mbrojtur pronat, për të mbrojtur historinë, për të mbrojtur të ardhmen e Durrësit, por edhe të Shqipërisë. Vota e Durrësit ka një rëndësi vendimtare për t’i dhënë çdo shqiptari mesazhin e madh të ndryshimit, për të ngjallur shpresë dhe ndryshim në zemrat dhe mendjet e mbarë shqiptarëve. Ndryshimi i Durrësit është ndryshimi i Shqipërisë ndaj dhe me 6 mars mbarë kombi pret nga ju votën e ndryshimit, votën e shpresës, votën për Ardi Mukën, votën për koalicionin Shtëpia e Lirisë.

Me 6 mars me votën tuaj ju keni një rast epik do të thosha për të mbjellë shpresë në çdo zemër shqiptare. Ju keni një rast të jashtëzakonshëm për të hapur dyert e zgjedhjeve të reja të parakohshme në mënyrë që Shqipëria të çlirohet nga narkoshteti, të çlirohet nga shteti i bandave dhe plaçkitjeve, dhe të rivendosë ligjin, të rivendosë të drejtë, të rivendosë shpresën dhe të ardhmen si perspektivë për çdo shqiptar.

Të dashur miq, Durrësi, spiranca e kombit me perëndimin pret prej kaq e kaq vitesh, afrimin me BE, të cilin Edi Rama me regjimin e tij e shndërroi në një horizont që nuk e kapim dot, në një horizont që largohet nga ne. Ndaj dhe ju takon ju durrsakëve që në 6 mars të votoni për vokacionin perëndimor, për integrimin e Shqipërisë në BE, si të ardhmen më të shkëlqyer të shqiptarëve.

Me 6 mars ju votoni për të nderuar idealet tuaja, përpjekjet tuaja, arritjet historike tuajat nën qeverisjen e PD. Sot Europa është në luftë, sot diktatori gjakatar i Kremlinit ka shpalosur ushtritë e tij dhe vret në rrugë dhe qytetet e Ukrainës njerëz të lirë. Merr pavarësinë e një vendi të lirë. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s. Shqipërinë në NATO e anëtarësoi qeveria e PD.

Mos harroni se Edi Rama vetëm pak vite më parë do të quante NATO-n si nata dhe do të protestonte në një miting me portretet e Enver Hoxhës kundër anëtësimit në NATO. Vota në 6 mars është votë për idealet tuaja euroatlantike, është votë për anëtarësimin e Shqipërisë dhe të ardhmen e saj“.