Shërbimi Hekurudhor ka njoftuar ndërprerjen e shërbimit, për shkak të mungesës së karburantit. Referuar njoftimit zyrtar bëhet me dije se puna është ndalur që prej datës 7 mars.
“Për shkak të mungesës së karburantit, funksionimi hekurudhor është ndërprerë nga data 7.3.2022!”
Ndërkohë, sot edhe Shoqata e Transportit Urban ka kërkuar rritjen e çmimit të biletës në 80 lek, për një biletë një përdorimëshe, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës. Ata kanë thënë se deri tani nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga institucionet dhe e vetmja mënyrë për të mos falimentuar është rritja e çmimit.
Kryeministri Rama në një konferencë për mediat që po zhvillon sot, thotë se çmimi i naftës do të rritet në vazhdim për shkak të luftës në Ukrainë. Ai bëri thirrje që qytetarët të përgatiten psikologjikisht për skenarin më të keq, për shkurtim dramatik të furnizimit me energji dhe naftë.