Policia ka arrestuar dy persona në sajë të operacionit “Gruda”.
Sekuestrohen rreth 4000 fara cannabis sativa dhe 140 doza me lëndë narkotike cannabis sativa.
NJOFTIMI I POLICISË
Nga strukturat e Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirë organizuar, u bë i mundur finalizimi i operacionit “Gruda”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
J. M., 43 vjeç dhe K. K. , 25 vjeç, të dy banues në fshatin Grude e Re, Shkodër.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, në ambientet e një lokali në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një qese me fara të bimës cannabis sativa dhe një qese me lëndë narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. K., ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese me lëndë cannabis sativa dhe një sasi farash të bimës cannabis sativa.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar në total rreth 4000 fara cannabis sativa dhe 140 doza lëndë narkotike cannabis sativa.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet lidhjeve të tyre jashtë vendit, kishin siguruar 4000 fara të bimës narkotike cannabis sativa, të cilat do t’i shisnin kundrejt pagesës 16.000 euro.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.





