E shembur në korrik të vitit 2020, pas dëmeve të mëdha që pësoi nga tërmeti i frikshëm i 26 nëntorit, Qendra Shëndetësore nr.1 në Durrës do të rindërtohet.

Prej disa ditësh tashmë, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Durrës ka hapur tenderin për ndërtimin e godinës së re ku do të qëndrojë stafi i QSH nr.1, NJVKSH dhe Klinika Stomatologjike Durrës.

Investimi për ndërtimin e godinës së re kap vlerën rreth 72,5 milionë lekë të reja, ndërsa punimet pritet të zgjasin 224 ditë pas nënshkrimit të kontratës me kompaninë fituese të tenderit. Kompanitë e interesuara kanë afat deri më datë 16 mars të paraqesin ofertat e tyre.

“DurrësLajm” po publikon fotot sesi pritet të duket godina e re e QSH nr.1.

Sipas projektit, godina e re pritet të jetë sërish 3 katëshe, ashtu siç ishte dhe godina e dikurshme dhe do të ndërtohet në po të njëjtin vend, në lagjen nr.4.

Pas shembjes së godinës nga IMKT, sheshi u kthye në një parkim privat.

Qendra Shëndetësore nr.1 dhe Shërbimi Stomatologjik u sistemuan përgjatë këtyre viteve në ambiente me qira, ndërkohë që Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor u vendos në Poliklinikën Qendrore të qytetit.

Ndërtimi i godinës së re pritet të zgjasë për rreth 8 muaj dhe mund të jetë gati në fillim të vitit të ardhshëm.

Struktura e godinës së re të QSH nr.1 Durrës

“Objekti i ri i Qendrës Shëndetësore do ketë të njëjtën vendndodhje dhe të njëjtin orientim në parcelë ashtu si edhe objekti ekzistues. Objekti i ri 3KT ka marrë parasysh kërkesat për ambjentet e nevojshme për këtë Qendër duke patur gjithashtu parasysh standartet bazë për këto ambjente shëndetësore.

Në katin përdhe do të kryejë aktivitetin e saj Q.Sh Nr 1. Hyrja e saj do të shërbejë hyrja ekzistuese nga mbrapa objektit. Hyrja kryesore do të shërbejë për NJVKSH. Qendra shëndetësore nr. 1 ka recepsion (openspace), 4 dhoma për mjekun e familjes, 1 dhoma për mjekun pediatër, 1 dhomë mjeku konsultori i nënës dhe fëmijës, 1 dhomë kontrolli mjekësor bazë, 1 dhomë vaksinimi, 1 dhomë infermieri, 1 dhomë ekonomisti dhe ndarje magazine, 1 ambjent për mbetjet spitalore, 1 sallë mbledhje për personelin dhe informimin e komunitetit, 2 nyje hidrosanitare. Numri i banorëve që marrin shërbim është 27,714 dhe numri i personelit mjekësor është 11 mjekë dhe 18 infermier.

Në katin e parë do të kryeje aktivitetin shërbimi stomatologjik shtetëror për fëmijët deri në 18 vjeç. Ky shërbim ka 1 dhomë për shefen e shërbimit stomatologjik, 2 dhoma terapie me 6 unite dentare me ndarje, 1 dhomë urgjence me 1 unit dentar, 1 dhomë depistimi me 1 unit dentar, 1 dhomë për aparatin e grafië, 1 ambjent për kartotekë me ndarje për magazinë dhe zyrën e punonjësesh, sallë mbledhjesh, 2 nyje hidrosanitare.

Në katin e dytë do të kryejë aktivitetin Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Durrës. Numri total i zyrave do të jetë 14 zyra, 1 arkivë, sallë mbledhjesh për personelin, 2 nyje hidrosanitare.

Kati i parë dhe kati i dytë e këne hyrjen nga fasada kryesore e objektit”,- specifikohet në dokumentet e projektit të godinës së re.

M.B.