Kockat e shëndetshme janë të rëndësishme për një qëndrim dhe paraqitje të mirë dhe për një rini afatgjatë.

Kockat janë substancat minerale më të forta në organizëm, por sidoqoftë ato mbeten inde të gjalla gjithnjë në rritje.

Përveç kockave të forta, organizmi ka nevojë për energji që të qëndrojë aktiv dhe i shëndetshëm.

Pa këtë të fundit, njeriu nuk ka fuqi të përfundojë edhe detyrat më të thjeshta. Një ushqyerje e mirë me përbërës si kalciumi, magnezi, kaliumi, vitaminat D dhe K, beta karoteni dhe proteinat mundet t’i mbajë kockat e forta, të rrisë rezistencën tuaj dhe t’ju ndihmojë të rimëkëmbeni shpejt pas një dite të ngarkuar.

AgroWeb.org sjell për ju recetën speciale të një lëngu të shëndetshëm, një gotë e vetme e të cilit ju furnizon me këto ushqyes të nevojshëm për kockat dhe energjinë.

Përbërësit kryesorë të lëngut për kocka të forta dhe energji janë:

Një filxhan e gjysmë me spinaq të freskët.
Gjysmë filxhani me lëng portokalli të pasuruar me vitaminë D.
1 kastravec i prerë.
2 mollë jeshile (të prera në forma të vogla).
1 copë xhenxhefili të qëruar.

Përfitimet kryesore shëndetësore:

1. Spinaqi

Spinaqi është i dendur me ushqyes të dobishëm për shëndetin e kockave.

Ai është një burim i pasur i vitaminës K. Një filxhan me spinaq ofron 181 përqind të dozës së rekomanduar të kësaj vitamine. Ajo parandalon formimin e qelizave që shkatërrojnë kockat.

2. Lëngu i portokallit i pasuruar me vitaminë D

Ky lëng i pasur me vitaminë D, është i dobishëm për muskujt dhe kockat.

Ajo përthith kalciumin që është i nevojshëm për kocka të forta. Ekspertët e AgroWeb.org shpjegojnë se pamjaftueshmëria e vitaminës D shkakton kocka të brishta  dhe mund të rezultojë në shfaqjen e sëmundjeve si rakiti apo osteoporoza te fëmijët dhe të rriturit.

3. Kastraveci

Kastraveci është një burim i pasur i vitaminës A, B, C apo i mineraleve si magnezi, kalciumi, fosfori dhe kaliumi. Së bashku, këto minerale hidratojnë organizmin dhe forcojnë kockat.

Karbohidratet dhe vitamina B te kastraveci e transformon ushqimin në glukozë që përkthehet në energji për trupin. Kastraveci është i një natyre alkaline dhe rregullon nivelet e pehashit në organizëm. Ai ndihmon në zhvillimin dhe forcimin e indeve lidhorë.

4. Mollët jeshile

Ky frut është një burim i shkëlqyer i ushqyesve të dobishëm për shëndetin e kockave.

Mollët jeshile përmbajnë flavonoidë që pakësojnë rrezikun e shfaqjes së osteoporozës, rrisin dendësinë e kockave dhe luftojnë inflamacionin.

Për më tepër, vitamina C është thelbësore për prodhimin e kolagjenit që mbron muskujt, enët e gjakut, kockat dhe damarët.

5. Xhenxhefili

Forcon shëndetin e kockave dhe çliron dhimbjet e kyçeve. Ai përmban një përbërës organik dhe unik që njihet si xhinxherol që lufton inflamacionin. Xhinxheroli luan një rol kryesor në mposhtjen e përbërësve të inflamacionit përpara se ata të nisin e ndikojnë tek kockat.

Përgatitja e lëngut

1. Prini mollët në copa dhe hidhini në shtrydhësen e frutave.
2. Shtoni gjethet e pastruara të spinaqit.
3. Hidhni copat e kastravecit dhe copën e qëruar të xhenxhefilit.
4. Lëngun hidheni në një enë qelqi dhe shtoni lëngun e portokallit.
5. Përzijeni mirë. Nëse dëshironi mund të shtoni ujë që ta bëni lëngun të njëtrajtshëm.
6. Shtoni akull sipas dëshirës dhe pijeni menjëherë. Kjo pije duhet pirë çdo ditë në mëngjes./AgroWeb.org