Sot në Shqipëri kremtohet Dita e Verës, një festë me origjinë të lashtë. Kryeqendra e kësaj feste është Elbasani, ndërsa shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.
Një festë pagane, shumë më e hershme se krishterimi është festimi i Ditës së Verës, në të gjithë zonën e Elbasanit por edhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Por në këtë ditë të shënuar e në vitet kur COVID-19 nuk ishte mes nesh, Elbasani kthehej në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri te dreka e begatshme familjare, ku nuk mungon ballokumja.
Zanafillën Dita e Verës e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.
Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit.
Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardha dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.
Në Kosovë, kjo ditë festohet në disa zona, si në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës në malet e Sharrit në Komunën e Dragashit.