Çmimi i naftës pritet që të ulet sërish.

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delinda Ibrahimaj tha në “Open” se nga nesër çmimi i naftës do të jetë më i lirë se ç’është sot.

Në mbledhjen e nesërme që që do të mbahet me furnizuesit e naftës në vend, Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit pritet të vendosë që çmimi për naftën më të ulët se 217 lekë, ndikuar nga ulja e çmimit në bursë“, tha Ibrahimaj, në një lidhje ‘live’ për “Open”.

Në mbledhjen e zhvilluar në 12 mars Ministrinë e Financave, u mor vendimi që nafta në të gjitha pikat e karburantit, për periudhën 12 mars-15 mars 2022 të tregtohet me 217 lekë.

Po ashtu, u vendos që çmimi i shitjes me pakice të nënproduktit gaz për periudhën 12 mars-15 mars 2022, të jetë 93 lekë/litri.

Bordi i Transparancës ka për qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë dhe në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Nortmativ.