Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri i vendit Edi Rama ka lajmëruar se nga data 16-21 Mars, çmimi i naftës do të jetë 203 lekë për litër.

Kjo sjell një ulje të çmimit të naftës me 8 lekë pasi ditën e djeshme, çmimi i naftës sipas vendimit të bordit të administrimit të karburanteve u bë 211 Lekë për litër.

Kjo zbritje e çmimit të naftës në Shqipëri vjen pas uljes edhe në tregjet ndërkombëtare. Çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare po reduktohet ndjeshëm duke arritur kuotën më të ulët të 2 javëve të fundit.

Vendimi i Bordit të Transparencës për çmimet e karburantit:

Bordi i Transparencës i ngritur me vendim Qeverie, me qëllim kufizimin  e përkohshëm  të çmimeve  të tregtimit  me shumicë/pakicë,  sot në datë 16 mars 2022, në mbledhjen e tij të rradhës,  bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ, ky Bord vendosi:

1.Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 199 lekë/litër,  dhe nënproduktit benzinë  për periudhën 16 Mars-21 Mars 2022, të jetë 193 lekë/litër

2.Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 16 Mars-21 mars 2022,  të  jetë 203 lekë/litri.

3.Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228  për periudhën 16 Mars-21 mars 2022,  të  jetë 206 lekë/litri.

4.Çmimi i shitjes me pakicë të nënproduktit gaz për periudhën 16 Mars-21 mars 2022,  të jetë I pandryshueshëm 93  lekë/litri.

Bordi i Transparencës do mblidhet përsëri ditën e hënë, datë 21.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në Aktin Nortmativ.