Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe në interpelancë me ministren e Bujqësisë Frida Krifca, adresoi disa nga problematikat kryesore të bujqësisë në vend.

Braçe e vendosi theksin te rritja e çmimit të inputeve bujësore, sigurimi i kapaciteteve vaditëse për fermerët, si dhe tek kripëzimi i tokave bujqësore nga hapja e puseve të shumtë në zonat bregdetare.

Ai akuzoi se tregu është i kapur dhe se janë vetëm dy apo tre subjekte, që zotërojnë 95-98% të tregtisë së një produkti.

“Kemi tre probleme të mëdha në bujqësi. I pari ka të bëjë me rritjen deri në tre herë të çmimit të inputeve bujqësore, plehrave kimike më së shumti. Tani edhe sasia po bëhet problem. I dyti ka të bëjë me ndryshimet e klimës me impakt të fortë në ciklet e prodhimit, nevojën për ujë jashtë sezoneve normale dhe i treti kripëzimi i tokave dhe shpimi i përditshëm i tokave bujqësore veçanërisht në zonat bregdetare, e me komunikim nëntokësorë lidhen kryesisht me zonën e bashkisë së Divjakës.

Nëse po bën mirë menaxhimin me naftën, në këtë aspekt qeveria është dorëzuar duke thënë se është tregu dhe nuk kemi çfarë bëjmë. Në fakt nuk është as tregu dhe as i lirë është i kapur. Tre kompani që zotërojnë gjithë importin e një produkti nuk përbëjnë treg por përbëjnë një kartel shumë fitimprurës për këto kompani”, tha Braçe.