Drejtori i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj ka dhënë të tjera detaje për operacionin “Skema” që goditi veprimtarinë mashtruese të një Call Centeri në Tiranë, që u ka shkaktuar dëm financiar shtetasve gjermanë.
Sipas Vocajt, krahas 15 personave të arrestuar, 35 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë kurse 21 vetë janë shpallur në kërkim.
“Gjatë operacionit u kontrolluan 8 ambiente në të cilat ushtrohej aktiviteti kriminal në fushën e krimeve kibernetike, në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë. U ndaluan 15 shtetas të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, u proceduan në gjendje të lirë 35 shtetas dhe u shpallën në kërkim 21 shtetas të tjerë”, tha ai.
Vocaj bëri të ditur gjithashtu se skema mashtruese me dëm të konsiderueshëm monetar e Call Canterit “BLUENERGYCALL” ka nisur që në vitin 2018 e në vazhdim.
“Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bazë të zbatimit të letërporosisë së ardhur nga organet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe me partnerët e saj gjermanë, ka filluar hetimet në lidhje me një aktivitet kriminal në fushën e “Mashtrimit kompjuterik“ e cila kishte të bënte me platformat elektronike mashtruese “BrokerZ” dhe “Globalix” nga viti 2018 e në vazhdim ka kryer mashtrimin e shumë qytetarëve gjermanë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash. Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se prej disa vitesh, një subjekt tregtar nën emërtimin “Blu energy call“ zhvillonte aktivitetin e tij në fushën e qendrave së thirrjeve telefonike ose siç njhet në vendin tonë “call center“.
Nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët gjermanë u arrit të evidentoheshin viktima të kësaj veprimtarie kriminale jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Në kryerjen e operacionit policor morën pjesë dhe organet ligjzbatuese gjermane, nën drejtimin e Prokurorit të ardhur nga Republika Federale Gjermane dhe një skuadre të strukturave të hetimit kibernetik. Gjithashtu, deri më tani janë identifikuar të dhënat personale të shumë shtetasve të huaj të cilat janë përdorur për t‘i kontaktuar dhe më pas t‘i tërhiqnin drejt skemës së mashtrimit kompjuterik duke përfituar shuma të ndryshme vlerash monetare. Personat e kontaktuar ndodhen në shtete të ndryshme të botës. Nga ana e Njësisë C – Hetimi i Krimit Kibernetik, nën drejtimin e Prokurorisë se Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal”, u shpreh Tonin Vocaj.