Blendi Fevziu ripërsërit qëndrimin se Lulzim Basha duhet të japë dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike, pas humbjes së thellë që kjo forcë politike pësoi në zgjedhjet e 6 Marsit.
Gazetari shprehet se për këtë nuk mundet kurrsesi t’i vihet kusht Sali Berishës që të largohet.
Kandidatët e Berishës dolën të dytët në 4 bashki ndërsa në atë të Shkodrës, Bardh Spahia i koalicionit ‘Shtëpia e Lirisë’ mori fitoren duke nxjerrë PD si forcë të tretë.
Blendi Fevziu:
E para njëherë duhet të japë Basha dorëheqjen, sepse ka një rezultat skandaloz të PD, që ka dalë e treta në 32 vite të ekzistencës së saj.
Largimi i Bashës hap një diskutim tjetër për qëndrimin ndaj Berishës. Këtu mund të negociohet, por nuk mund t’i vihet kusht.
Nuk mund ta vendosë kusht as Basha as PD largimin dhe të Berishës të cilin e kanë përjashtuar nga PD me deklaratë publike dhe me votim. Kanë ngritur duart të gjithë. Largimi i Bashës e çon topin tek Berisha.
Këtu pastaj fillon një negocim tjetër, ose do të negociohet që ndoshta zoti Berisha të mos kandidojë, ose të gjendet një zgjidhje tjetër, duke menduar që një zgjidhje e tretë mund të ishte më afatgjatë, një shikim më afatgjatë i PD.
Ki parasysh që këtu jemi në terrenin e analizën sesi do të ishte më e mira për PD, por më e drejta do të ishte ta vendoste vota.
Unë mund të dua njërin apo tjetrin, ju mund të doni njërin apo tjetrin, në demokraci kjo dilemë zgjidhet shumë kollaj. Votë e fshehtë, e lirë, e drejta e gjithsecilit për të kandiduar dhe zgjidhet.





