Rusia mund të pranojë pagesat me Bitcoin nga disa vende për furnizimet me gaz dhe naftë. Deklarata është bërë nga një zyrtar i lartë rus, Pavel Zavalny, i cili deklaroi se vendet “miqësore” mund të lejohen që të paguajnë edhe në monedhat e tyre kombëtare.
Ai përmendi Kinën dhe Turqinë si ndër shtetet që bëjnë përjashtim nga pjesa tjetër e botës. Gjatë kësaj jave, Presidenti i Rusisë Vladimir Putin deklaroi se shtetet që i kanë vendosur sanksione do të blejnë gazin rus duke e paguar me Rubla, monedhën ruse.
Synimi është që të forcohet monedha ruse, e cila ka humbur 20% të vlerës së saj gjatë këtij viti. Rusia është eksportuesi më i madh në botë i gazit dhe vendi i dytë për furnizimin me naftë.





